Arben RUGOVA

Në Kuvend së pari duhet të procedohet Demarkacioni, ose PDK duhet të votoj 100% kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë që drejton bashkë me LDK-së.

Futja e mocionit në rend dite, dhe votimi “pro” i deputetëve të PDK-së për rrëzimin e kësaj qeverie, pa e votuar Demarkacionin, do të shpërfaqte përpjekjet e Kadri Veselit për të ikur nga përgjegjësitë (gabimet) e partisë së tij gjatë këtij mandati qeverisës.

Dakord, pas votimit të Demarkacionit, koalicioni PDK-LDK duhet të dorhiqet-rrëzohet, meqë keq-qeverisja ka tejkaluar kufijt e së keqës, pavarësisht rezultatit në Kuvend për këtë marrëveshje.

Për Kosovën është me rëndësi që para zgjedhjeve parlamentare (të parakohshme), Kuvendi të votojë Demarkacionin, për ose kundër, me qëllim që (në rast se nuk kalon) të dihet se si t’i qaset kësaj marrëveshje koalicioni i ri pas zgjedhjeve.

Sepse është fatkeqësi që Kosova të humbë edhe një apo dy vjet të tjera rreth një marrëveshje prej së cilës asnjë parti nuk do të duhej të përfitonte poena politikë.

Ikja e PDK-së nga përgjegjësia për Demarkacionin; ikja e LDK-së nga përgjegjësia për dështim në luftën kundër korrupsionit (bashkë me PDK-në); por edhe përseritja e gazit lotësjellës të VV-së në Kuvend për të ndaluar Demarkacionin; janë taktika të flliqura që ndodhin vetëm te shtetet jodemokratike, në shtetet ku Drejtësia është e kapur dhe papërgjegjësia (krimi) ngelet i pandëshkuar!

Pa sundim të ligjit nuk ka liberalizim vizash të premtuara prej disa vjetësh nga Hashim Thaçi, nuk ka zhvillim ekonomik të premtuar nga Isa Mustafa dhe natyrisht as bashkim Kosovë – Shqipëri që ka vendosur në rend dite Albin Kurti!

Pa sundim të ligjit, Kosova është një ngrehinë kartoni që nuk i duhet askujt. Është asgjë! E ju vazhdoni t’i tregoni këtij populli pallavra se kush është përgjegjësi, se çfarë duhet bërë dhe qysh ndërtohet shteti demokratik! Edhe pak!