President turk Reçep Tajip Erdogan erdhi sot në Moskë për të diskutuar rolet e dy vendeve në konfliktin sirian, me presidentin Vladimir Putin.

Rusia ngriti pjesërisht masën e ndalimit të importeve të mallrave bujqësore turke para takimit të së premtes në Kremlin, ku gjithashtu u diskutua për përmirësimin e lidhjeve tregtare mes vendeve.

 “Ne po punojmë për zgjidhjen e krizave më të rënda, dhe e para është Siria,” tha Putin teksa përshëndeti Erdogan para bisedimeve. “Jam i lumtur të them se megjithse pak e prisnin ushtritë tona dhe forcat speciale kanë vendosur tashmë kontakte të ngushta dhe efiçente”.

“Liderët do të diskutojnë të gjithë spektrin e lidhjeve Rusi-Turqi duke u fokusuar në rivendosjen e lidhjeve të ndërsjellta tregtare dhe ekonomike”, thuhej në deklaratën e Kremlinit, ku përmendeshin projekti i gazsjellësit Turkish Stream dhe ai i impiantit energjetik bërthamor në Akkuju.

Rusia tha se do të pranonte importet turke të qepëve,  lulelakrës dhe brokoli, ndërsa ende nuk ishte hequr ndalimi i produktit kryesor, domateve.