Qeveria e Sllovenisë informon se ka marrë vendim që të dërgojë në karantinë shtetërore prej 14 ditëve, të gjithë ata që shkojnë në këtë shtet nga Maqedonia e Veriut.

Ky vendim i shtetit slloven vlen për të gjithë, pavarësisht nëse janë shtetas të Sllovenisë, Maqedonisë së Veriut ose shteteve anëtare të BE-së

Ekspertët shprehen se ky vendim i Sllovenisë për të vendosur qytetarët e Maqedonisë së Veriut në karantinë për 14 ditë dëshmon se ne jemi i vetmi vend në rajon që mbetemi në listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë të përhapjes së koronës.

Berat Azizi, analist, për Zhurnal thotë se edhe publikimi i fundit i revistave ndërkombëtare vendit tonë e rendit në mesin e e shteteve të cilët në një farë mënyre ka dështuar me menaxhimin e pandemisë.

Sipas tij shifrat e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve për 100 mijë banorë mbetet mjaft lartë në krahasim me vendet e rajonit, por edhe me vendet tjera evropiane.

“Mirëpo mosmenaxhimi i mirë i autoriteteve të Maqedonisë do të shkojë në dëm të qytetarëve sidomos atyre të cilët udhëtojnë drejt vendeve evropiane. Hapja e kufijve nuk do të prodhojë ndonjë efekt pozitiv pasi jo vetëm Sllovenia por edhe shumë shtete tjera do të kërkojnë nga qytetarët tanë që të futen në karantinë ose tu nënshtrohen procedurave tjera. Unë mendoj se këtu duhet ndryshuar qasja ndaj luftës kundër pandemisë pasi të gjitha masat e deritanishme nuk dhanë rezultat për shkak se në fillim është bërë politikë dhe më pas gjithçka doli jashtë kontrollit. Lejimi i manifestimeve të ndryshme fetare, ora policore e pakuptimtë dhe futja e politikës në këtë mes solli gjendjen të cilën e kemi ne sot dhe nuk dihet sa do zgjatë. Për të menaxhuar krizën me kovid autoritetet shtetërore është mirë që të ndjekin modelin slloven ose atë malazez të cilët për një kohë shumë të shkurtë dhe më me pak pasoja arritën të dalin nga kriza dhe sot të jenë vendet më pak të rrezikshme. Në anën tjetër nëse mërgimtarët tanë nuk kthehen pasojat në ekonomi do të jenë të pariparueshme dhe vendi do futet në një krizë të thellë ekonomike.

Nga ana tjetër, Bashkim Selmani, profesor universitar, për Zhurnal shprehet se çdo shtet ka pavarësinë e saj të veprimit.

Ai thotë se vendi jonë nga gjitha vendet e Ballkanit ka infektime dhe vdekshmëri më të lartë andaj ndëmerren masa të tilla.

“Në bazë të Organizatës për shëndetësi botërore që është, në momentin që shpall pandeminë ka kritere dhe rregulla se si drejtohet ose menaxhohet rrezikshmëria e shëndetit publik. Në këtë rast çdo shtet ka pavarësinë e vet të veprimit. Mirëpo nga ana tjetër duke pasur parasysh lëvizjen e qytetarëve, që lëvizin nga një vend në vend tjetër, atëherë edhe fusin shtetin që ka rrezikshmëri më të lartë, në këtë rast Maqedonia e Veriut nga gjitha vendet e Ballkanit sa i përket infektimeve dhe vdekshmërisë është më e lartë dhe prandaj gjitha shtetet tjera ndërmarrin masa për mbrotje nga është burimi virusit. Kësi masa ka ndërmarr edhe Mali i Zi ndaj qytetarëve tanë, dhe në këtë rast është bërë seleksionimi në bazë të konventave ndërkombëtare”, shprehet profesori universitar, Bashkim Selmani.

Ndryshe, edhe Qeveria malazeze ka hequr vendin tonë nga lista e vendeve që nuk kanë nevojë për një karantinë shtetërore kur hyjnë në territorin e Malit të Zi. Kjo është për shkak të rritjes së numrit të rasteve të koronavirusit në vendin tonë.

Kjo do të thotë që çdo qytetar nga Maqedonia e Veriut që dëshiron të hyjë në Mal të Zi do të shkojë në izolim të detyrueshëm 14-ditor. Më parë, Kroacia nuk lejoi hyrjen për qytetarët tanë dhe e njëjta njoftohet nga disa vende të tjera që do të bëjnë listat e zeza të vendeve. Aktualisht nuk ka asnjë rast aktiv të Covid-19 në Mal të Zi.