Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka folur për njohjen e shtetësisë nga Xhamajka, që më vonë u demantua nga Ministrja për Punë të Jashtme e Xhamajkës, Kamina Johnson-Smith.

Fillimisht, Çitaku ka kritikuar zëvendëskryeministrin e vendit, Haki Abazi, pas kritikave ndaj saj.

“Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Haki Abazi qenka marrë pak me mua. Më paska quajtur mua dhe Ambasadën në SHBA instrumente në shërbim të Presidentit, e jo të Kosovës. Nuk është hera e parë që Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike”, ka thënë Çitaku.

Çitaku ka thënë se për çështjen e Xhamajkës, ka shumë palë të përfshira dhe për këtë është përmbajtur deri me tani.

“Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje. Çdo gjë do të sqarohet me kohë”, thotë ambasadorja.

Ajo i është drejtuar Abazit, duke i thënë se si zëvendëskryeministër, nuk e ka kontaktuar fillimisht që të sqarojë situatën por ka hedhur akuza…

“Zv.kryeministrit i them publikisht, meqë asnjëherë, si zv Kryeministër, nuk më ka kontaktuar që ta sqarojë situatën në fjalë, nëse nuk dëshiron të kontaktoi me mua, atëherë le ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme.Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nder tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem”, ka deklaruar Çitaku.

Ambasadorja më tej ka shprehur shqetësimin që institucionet baltosen për inate politike e personale.

“Nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale. Jam shumë krenare me punën e kolegëve të mi dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem para shantazhit publik. E kam thënë edhe më herët, të jem Ambasadore e Kosovës në Washington DC është nderi i jetës sime”, ka thënë Çitaku.