I pastrehu nga Shkupi, Jordan Trajkovski, në moshën 68 vjeçare, dje është gjetur i vdekur në lagjen e Shkupit “Aerodrom” në rrugën “Bojmija”, informojnë nga Ministrja e Punëve të Brendshme, njofton Portalb.

Rastin në polici e ka paraqitur shoku i tij, gjithashtu i pastrehë. Kur e ka parë se shoku i tij është i vdekur, nuk ka pasur kujt t’i lajmërojë dhe e ka informuar rojën e depove të vjetra të ARM-së përballë Klinikës “Jane Sandanski” në rrugën “Kosta Novakoviq”.

Rasti është paraqitur në polici në mëngjes rreth orës 9:30. Mjeku i Ndihmës Urgjente ka konstatuar vdekjen, ndërkaq me urdhër të prokurorit publik dhe mjekësisë gjyqësore, trupi është dhënë për obduksion. Sipas të gjitha gjasave, personi ka vdekur si pasojë e motit të ftohtë, megjithatë, obduksioni do t’i zbardhë të gjitha detajet.

/Portalb