Moti pritet të përkeqësohet me reshje të dendura shiu duke filluar nga dita e nesërme dhe për këtë Ministria e Punëve të Brendshme ka urdhëruar ngritjen e Shtabeve të Emergjencave në të gjithë vendin. 

Ministria duke iu referuar buletineve të instituteve të specializuara meteorologjikë informon se përkeqësimi i motit mund të shoqërohet fillimisht me reshje me intensitet mesatar, që do të vijnë duke u shtuar.

“Përveç përmbytjeve, reshjet mund të shkaktojnë edhe rrëshqitje të tokës në zona të caktuara. Situata pritet të përkeqësohet më datën 8 nëntor, sidomos në njësitë administrative të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Sipas parashikimeve të Instituteve Meteorologjike, pritet të ketë fryrje të lumenjve që rrezikojnë të dalin nga shtretërit e tyre”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria e Brendshme ka urdhëruar Prefektët dhe përfaqësuesit e bashkive në të gjithë vendin që, përveç ngritjes së Shtabeve të Emergjencës, të vënë në gatishmëri të gjitha kapacitetet njerëzore e teknike-operacionale për të reaguar, sipas situatës.

MPB këshillon shtetasit në zonat që mund të preken nga përmbytjet, që të minimizojnë lëvizjet e panevojshme dhe sidomos të fëmijëve të vegjël, të pashoqëruar nga të rriturit. MPB kërkon nga shtetasit që t`iu binden lajmërimeve të strukturave të pushtetit vendor dhe të japin ndihmesën e tyre ndaj këtyre strukturave, citohet njoftimi