MOURINHO, STATISTIKA MË TË DOBËTA SE VAN GAALI

Manchester United nuk është përmirësuar aspak, edhe pse në krye të tyre është një trajner i njohur si Jose Mourinho.

Në 5 ndeshjet e fundit në kampionat, Manchester United ka fituar vetëm 1, atë me Leicester në “Old Trafford”, ndërkohë që në klasifikim kjo skuadër është në vendin e 7, jashtë zonës Evropiane.

Statistikat e shënuara deri tani tregojnë një përkeqësim të situatës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur në stol ishte Louis Van Gaal. Sezonin e kaluar, pas 8 javëve të para, “Djajtë e Kuq” të Van Gaal ishin në vendin e 3 të renditjes me 16 pikë, aq sa edhe Arsenali dhe vetëm 2 pikë larg rivalëve të Manchester City.

Këtë sezon, Manchester United ka 14 pikë dhe ndodhet 4 pozicione më poshtë e për më tepër me 5 pikë më pak se Citizens e Arsenali. Këtë sezon, Manchester United ka shënuar më shumë gola 13, ndërkohë që 1 vit më parë ishte në kuotën e 12 golave, ndërsa në pasiv numri i golave të pësuar është 8, po aq sa edhe në 2015/2016.

Për më tepër, në Anfield, Manchester United e zotëroi topin për 35% të kohës, shifra më e ulët e shënuar në Premier League që nga momenti i regjistrimit edhe të kësaj statistike.