Autoritetet e Maqedonisë duhet të zbatojnë politika që nxisin integrim dhe mirëkuptim mes bashkësive etnike dhe të promovojnë kohezionin social, njëkohësisht duke e mbrojtur diversitetin. Këtë në konferencë për media e theksoi komisari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Nils Muizhnieks, i cili gjendet për vizitë pesëditore në Maqedoni.

Sipas tij, Marrëveshja Kornizë e Ohrit i ka dhënë fund konfliktit në vitin 2001 dhe solli ndryshime në fusha të caktuara – përfaqësimin e barabartë të bashkësive, decentralizim dhe përdorimin e gjuhëve, por kohezioni social nuk është arritur.

“Shoqëria e Maqedonisë mbetet thellësisht e ndarë në baza etnike dhe gjuhësore, dhe është koha e fundit që liderët politikë të hartojnë strategji për integrim për tejkalimin e këtyre ndarjeve”, vlerëson komisari për të drejtat e njeriut.

Atmosfera e përgjithshme lidhur me të drejtat e njeriut në Maqedoni sipas Muizhnieks është pozitive, ndërsa Qeveria dërgon shumë porosi për gjithëpërfshirje.

Ученици

Sipas tij, fëmijët në Maqedoni vonë fillojnë të mësojnë gjuhët e bashkësive të tjera. Apeloi të hartohen politika më sistematike dhe afatgjata që të shmanget ndarja midis fëmijëve të bashkësive të ndryshme etnike në sistemin arsimor.

“Të gjithë fëmijët të mësojnë gjuhën maqedonase, ndërsa e njëjta vlen edhe për gjuhët e tjera joshumicë në zonat ku grupet e tilla jetojnë në numër të konsiderueshëm”, theksoi Muizhnieks.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Renata Deskoska, megjithatë, lidhur me rrahjen midis dy grupeve të të miturve, mendon se incidentet midis të rinjve janë rezultat i ndërtimit të një atmosfere intolerante, nacionalizmi dhe urrejtjeje ndëretnike që, siç tha ajo, ishte përditshmëri në të kaluarën dhe e nxitur nga funksionarët më të lartë të shtetit.

Дескоска

“Qeveria aktuale po përpiqet ta promovojë dhe zgjerojë konceptin jetë për të gjithë, jetesë e përbashkët e të gjitha bashkësive etnike”, theksoi Deskoska. Ajo tha se mësimi i të rinjve për tolerancë dhe bashkëjetesë midis diversiteteve është edhe një nga masat e Strategjisë së arsimit 2018-2025, e cila u miratua të martën seancën qeveritare.

Sqaroi se në konceptin e programeve mësimore do të vendosen elemente për njohjen e diversiteteve, komponenti multietnik do të vendoset edhe në tekstet shkollore edhe planet mësimore, dhe për ndërtimin e bashkëjetesës do të sigurohen edhe kushte hapësinore, domethënë të gjithë nxënësit të mësojnë në ndërtesat e njëjta shkollore. /Fol/