Deputetët mund ta thirrin Kuvendin dhe të votojnë Qeveri e cila do të jetë plotësisht legjitime, vlerësojnë ekspertët për “Plusinfo”, ndërkaq nga kabineti i Ivanovit ende nuk ka asnjë informatë.

“Duke e pasur parasysh se Qeveria zgjidhet nga Kuvendi, ndërkaq deputetët i zgjedh populli, ekziston opsion që edhe deputetët të thirrin seancë në Parlament dhe ta konstituiojnë Qeverinë e re, e cila do të ishte plotësisht legjitime. Shembull të tillë patëm mundësi të shohim në Slloveni”, deklaroi eksperti nga sektori joqeveritar, Andreja Stojkovski.

Sipas profesorit të së Drejtës Kushtetuese, Osman Kadriu, neni 90 parasheh dhe lejon, nëse Ivanov nuk ia jep mandatin Zaevit, Parlamenti vet të zgjedhë Qeveri.

“Zaev si përfaqësues i koalicionit i cili ka siguruar shumicë parlamentare, me 67 nënshkrime për mandat, mund të kërkojë nga udhëheqësi i tanishëm, Trajko Veljanovski, menjëherë të thirr vazhdim të seancës konstituive, në të cilën do të zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit, i cili do ta thirrë seancën e radhës për zgjedhjen e Qeverisë. Në këtë seancë, Zaev duhet të propozojë programin qeveritar. Nëse Veljanovski nuk e fton seancën, atëherë shumica parlamentare nëpërmjet deputetit më të vjetër mund ta caktojë vazhdimin e seancës konstituive. VMRO-DPMNE nuk ka mundësi juridike që ta kontestojë zgjedhjen e këtillë, kuptohet nesë BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët e përkrahin dhe jo të jenë të qëndrimit, nënshkrimet i kanë dhënë, por Qeveri nuk përkrahin”, thotë Kadriu.