Rezultatet e para të zgjedhjeve të katërta me radhë të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonjisë tek opinion më i gjerë, por edhe tek ai i ekspertëve kanë hapur shumë çështje dhe në piedestal kanë nxjerr çështjen si do të jetë zhvillimi i ngjarjeve në skenën politike të Maqedonisë, si dhe koalicionimet e mundshme mes partive politike.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) duke kumtuar rezultatet e para të zgjedhjeve informoi se koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE ka fituar 51 mandate, koalicioni i kryesuar nga LSDM ka fituar 49 mandate, BDI 10 mandate, BESA ka fituar 5 mandate, koalicioni Aleanca për Shqiptarët ka fituar 3 mandate dhe PDSH ka fituar 2 mandate.

Sipas analistit politik Albert Musliu i cili në një bisedë për Anadolu Agency (AA) foli për rezultatet e zgjedhjeve, kombinatorikat e mundshme të koalicionimit dhe skenarët e mundshëm të ardhshëm të arenës politike të Maqedonisë, këto ndoshta janë rezultatet më interesante që nga mëvetësimi i Republikës së Maqedonisë.

“Këto ndoshta janë rezultatet më interesante që nga viti i 1990. Siç tha një politikan sa më jostabile është Qeveria, aq më stabile është demokracia në këtë shtet dhe mendoj se këtu kishte të drejtë, meqë tani të gjithë janë të varur nga numrat. Ka gjasa që të ndryshojë gjendja, ka gjasa që të dyja partitë të kenë nga 50 mandate që do të jetë ‘push’ shtesë që politikanët të jenë të gatshëm për kompromis”, thekson analisti Musliu.

Ai konsideron se një nga dobësitë më të mëdha të skenës politike të Maqedonisë është mungesa e kompromisit, për çka thotë se me rezultatet e tilla të zgjedhjeve mund të ndryshojë kjo gjendje.

“Andaj ne kishim Parlament i cili ishte një makineri votimi, nuk kishte këtu as debat, as për ta bindur dikë, por votim të pastër. Mendoj se para përfundimit humbën vullnetin për të debatuar. Këto shifra janë kontribut shtesë ndaj tendecës drejt kompromisit. Kjo mund të shihet edhe nga portalet e afërta me pushtetin të cilat kanë ndryshuar vokabularin, ku ka më shumë hapësirë për kompromis dhe nuk i tregojnë shqiptarët si faktor rreziku për federalizim. Gjithçka është e mundur”, theksoi ai, duke shtuar se në këso gjendje të gjitha partitë politike do të jenë më të hapura për negociata.

“Një punë që nuk i shkon për shtati VMRO-DPMNE-së, është parimi i Badenterit. Ne mund të flasim se dy partitë maqedonase janë të balancuara, por fakt është se në LSDM-në opozitare tani ka dy deputetë që janë shqiptarë. Nuk kemi më 20 deputetë shqiptarë, por 23 deputetë. Më këdo që të shkojë BDI-ja fituese tani, e cila ka 10 deputetë, nuk ka shumicë mes deputetëve shqiptarë. Ose do të jenë të detyruar që të thërrasin edhe ndonjë parti shqiptare për të siguruar parimin e Badenterit për votim, ndërsa për të siguruar komoditet edhe më të madh duhet të thërrasin edhe ndonjë nga partitë shqiptare. Disa nga ato parti shqiptare ishin decid se nuk duan të bashkëpunojnë me VMRO-DPMNE-në në pushtet, një pjesë e tyre ishin eksplicit se nuk duan të bashkëpunojnë me ish-kryeministrin Gruevski dhe e gjithë kjo ndikon në matematikat e mundshme dhe shumicës së re të mundshme parlamentare”, konsideron Musliu.

Për dallim nga ish-koalicionet në ciklet e deritanishme zgjedhore, tani gjendja është tërësisht më ndryshe, për shkak të cilës, siç thotë Musliu, koalicionet e mëparshme të cilat nuk ishin të pranueshme për shqiptarët, tani nuk mund të arsyetohen aq lehtë. Ai thekson se në këto zgjedhje VMRO-DPMNE-ja në pushtet mbajti korpusin e saj të votave, ndërsa pasoja lidhur me votat e fituara kishte partia shqiptare BDI, e cila deri tani ishte pjesë e koalicionit qeverisës.

“Në Maqedoni nuk do të ketë krizë institucionale”

Rreth mundësisë për thellimin e tashmë krizës ekzistuese politike në vend, e cila filloi të thellohet nga zgjedhjet e kaluara të parakohshme parlamentare në vitin 2014, Musliu është i qëndrimit se nuk do të ketë krizë të këtij llojit.

“Mund të kemi krizë qeverisëse, mund të kemi krizë parlamentare, por krizë politike të atyre dimensioneve që kishim para këtyre zgjedhjeve, tani nuk do ta kemi. Pozicionet e partive kryesore ishin të ndryshme. Për partinë në pushtet zgjedhjet ishin zgjidhje e krizës, ndërsa thuajse për të gjithë të tjerët zgjedhjet ishin fillim për zgjidhjen e krizës. Të gjithë e kanë të qartë se nëse legjitimohen përfaqësuesit politik në Parlament përmes zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, ata i pret shumë punë, të bëjnë të gjitha reformat që janë marrë vesh, cili është kushti për vazhdimin e reformave për rrugën e reformave euroatlantike, këto janë reforma të rënda të cilat dikush doemos duhet t’i bëjë”, thekson Musliu.

“E dyta, supozohet se ne do të përballemi me një krizë serioze ekonomike, sepse borxhi ynë i jashtëm dhe i brendshëm është rritur goxha shumë, andaj do të kemi modele të ndryshme të krizave, por ajo kriza e mosbesimit ndaj institucioneve nëse reformat fillojnë, do të tejkalohet, sepse do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet”, shtoi ai, duke komentuar mundësitë për thellimin e krizës në Maqedoni. Në këto zgjedhje shqiptarët u treguan të gatshëm që t’i tejkalojnë barrierat historike dhe të votojnë një parti joshqiptare, në këtë rast LSDM-në. Nëse vazhdon ky trend i mbështetjes së shqiptarëve ndaj LSDM-së, numri i shqiptarëve deputetë në radhët e kësaj partie do të mund të jetë lëndë diskutimi.

“Kjo ishte diçka e re, nuk është diçka që ka qenë praktikë e shqiptarëve para këtyre zgjedhjeve, dhe kjo është strategjia e re e LSDM-së që të tërheq vota shqiptare. Para këtyre zgjedhjeve nuk shpresohej shumë për numrin e vendeve të deputetit, për një pjesë e shqiptarëve ishte me rëndësi që të bie kjo Qeveri. Gruevski kishte besimin më të vogël tek shqiptarët. U dëshmua se shqiptarët janë të gatshëm që t’i tejkalojnë barrierat historike të votojnë për LSDM-në duke marë parasysh memorjen kolektive, se çka ndodhi në vitet e nëntëdhjeta, kjo tani për tani ishin fjalë derisa LSDM të merr pushtetin, e të tregojë se këto nuk janë vetëm fjalë por edhe vepra. Nëse ky trend vazhdon mendoj se kjo do të jetë temë për të cilën do të debatohet, numri i shqiptarëve në listat e tyre në proporcion me votat që kanë marrë”, tha Musliu.

Lidhur me pyetjen se kush do ta përbëjë Qeverinë e ardhshme të Republikës së Maqedonisë, Musliu konsideron se ish-kryeministri, kryetar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka më së paku gjasa që të jetë mandatar.

“Gruevski ka më së paku gjasa që të jetë mandatar, tani është pyetja nëse VMRO-DPMNE mund të jetë ajo e cila do të themelojë Qeveri, kjo do të varet nga kapaciteti i saj i kompromisit. Ata do të kenë momente të vështira për të kaluar krizën e afrimit drejt votuesve shqiptarë, ndërsa LSDM-ja është në situatë më të mirë sepse iu afrua votuesve, duke e treguar edhe me retorikën parazgjedhore gjatë fushatës”, thekson Musliu.

“Pa marrë parasysh kush do të jetë në Qeverinë e re, dygjuhësia dhe buxheti do të zbatohen”

Duke u përqendruar në ofertat e mundshme të dy partive më të mëdha politike maqedonase, Musliu siguron se pavarësisht se cila nga partitë të jetë në Qeveri, nuk do të mund të kalojë pa zbatimin e dygjuhësisë dhe shpërndarjes adekuate të mjeteve buxhetore, si dhe ndarjen e posteve të larta shtetërore ndaj shqiptarëve.

“Është diskutuar për një numër të vogël të temave lidhur me shqiptarët. Nëse flasim për buxhetin, kjo është diçka që është pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës, gjëja e dytë është dygjuhësia. Pa këto, cilado qoftë Qeveri, nuk mund të kalojë. Cilado parti shqiptare që të hyjë në koalicion, me cilën do nga këto parti të mëdha një nga gjërat e para për të cilat do të diskutohet është gjuha. Ekziston një dokument Analiza e Marrëveshje kornizë të Ohrit e cila ka të bëjë me çështjen e kohezionit social, ku ka edhe rekomandime për dygjuhësinë. Spinuesit politik barazuan pushtetin lokal dhe qendror, pushteti qendror është i locuar në të gjitha njësitë lokale. Zyrtarizimi i gjuhës me pushtetin qendror është i rregulluar me Kushtetutë dhe ajo do të pranohet sepse është në përputhje me Kushtetutën”, siguron Misliu.

“Disa gjëra do të zgjidhen me cilën do nga këto dy parti, VMRO është në gjendje të pranojë diçka më shumë, që është edhe legjitime. Nëse ata kanë mundur të shfrytëzojnë këtë për të mbajtur trupin e tyre votues, BDI ka dëmtime serioze tek elektorati i saj”, thekson Musliu.

Mes tjerash ai shprehu bindjen se çështja për ndryshimin e Kushtetutës nuk do të jetë pjesë e negociatave të ardhshme.

Republika e Maqedonisë në trekëndësishin e fuqive të mëdha

Lidhur me ndikimin e interesave të fuqive të mëdha botërore, SHBA-ve, Rusisë dhe Turqisë, Musliu thekson se Maqedonia nuk ka dëm nga prania e politikës së jashtme të SHBA-ve në këto hapësira, ndikimi absolut i Rusisë në Maqedoni do të ishte katastrofal, ndërsa Maqedonia nga shumë aspekte është e lidhur me Turqinë, e cila është mbështetës i madh i integrimeve evroatlantike të Maqedonisë.

“Etnografia e Maqedonisë përjashton prani të madhe të Federatës Ruse këtu, meqë çmimi për praninë e aktiviteteve të tyre do të ishte i shtrenjtë për atë që ata do të mund ta merrnin. Politika e jashtme ruse e di se këtu në start 30 përqind e popullatës është absolutisht kundër ndikimit të tyre eventual. Në asnjë moment nuk pash aktivitet më të madh të politikës së jashtme ruse që për shembull ishte në Mal të Zi, që të dalin në terren. Kishim prani të tyre më të madhe mediale përmes disa deklaratave të MPJ-së dhe ambasadës së tyre, ndërsa aktivitet operativ të politikës së tyre të jashtme nuk kishim ngase kost-benefiti është shumë i shtrenjtë që ata të hyjnë, në krahasim me shpenzimet diplomatike amerikane, shpenzime për ndikimin e tyre. Këtu në një të tretën e njëjtë të popullatës amerikanët në fillim kanë mbështetje. Ndikimi absolut i Rusisë, në mënyrën sesi është në Serbi për Maqedoninë do të ishte katastrofal, ai do të gjeneronte ndasi të popullatës”, thekson Musliu.

“Nga ana tjetër, momenti sllav ka ndikim, Rusia nuk është e papëlqyer për maqedonasit të cilët ndjehen si sllav, por nuk është ky ndikimi për caktimin e prioriteteve strategjike. Ndonëse ka reagime në rrjetet sociale, ne nuk kemi asnjë parti maqedonase e cila promovon orientim drejt lindjes. Të kishte diçka të tillë do të kishim së paku një parti siç ka Shesheli, e cila do të angazhohej për orientimin drejt lindjes. Anketat për orientimin euroatlantik të Maqedonisë tregojnë se mbështetja rritet ose pakësohet, por ekziston mbështetja. Me rëndësi është si shtrohet pyetja për BE-në. Një pjesë e madhe e qyetarëve të Maqedonisë janë për NATO. Lidhur me politikën e jashtme mendoj se ndikimi i Rusisë është minimal por edhe interesi i Rusisë është minimal për Maqedoninë”, tha ai.

Lidhur me Turqinë, Musliu theksoi se në Maqedoni përafërsisht ka bashkësi të madhe turke, bashkësi shqiptare e cila është e afërt me bashkësinë turke dhe se për shumë aspekte Turqia është partner i afërt i Republikës së Maqedonisë.

“Turqia është një nga partnerët tanë më të mirë të jashtëm tregtar, kemi edhe histori të përbashkët dhe normal se Turqia është e pranishme këtu. Unë rrugës në Gostivar mësova turqisht, nuk mësova në televizion. Turqia është e pranishme këtu. Se si Turqia do ta realizojë këtë, nëse do të provojë ta realizojë përmes ndikimit politik ose vetëm në aspektin kulturor kjo varet prej tyre, por sidoqoftë ka pozitë më të mirë startuese se Federata Ruse. Por, nëse shumë hyjnë në gjërat e brendshme, si do të reflektohet kjo, duhet të shihet”, thekson Musliu duke theksuar se Turqia është mike e madhe e Maqedonisë dhe mbështetës i saj në integrimet evroatlantike.

“Turqia për Maqedoninë ishte shtet mik. Turqia është shteti i vetëm në NATO që në distiktin e çdo oficeri turk shkruan se Turqia e njeh Maqedoninë nën emrin kushtetues. Ndoshta një pjesë e politikës turke, pikërisht për shkak të marrëdhënive të Turqisë me Greqinë, ishte më e pranishme, besoj se edhe kjo është arsyeja pse në distiktet në NATO kjo shkruan, por raporti i Turqisë ndaj shumicës së shteteve ballkanike ishte miqësore. Mendoj se edhe qëndrimet e javës së kaluar të politikës së jashtme turke lidhur me deklaratat e pahijshme të ministrit grek të Mbrojtjes janë në përputhje me atë që politika e jashtme turke e realizon për Maqedoninë. Politika e jashtme turke është ajo që i promovon dhe mbështet integrimet evroatlantike të Maqedonisë”, tha Musliu.

Duke folur për ndikimin e SHBA-ve në Maqedoni, Musliu thekson se që në fillim kanë pranim absolut tek shqiptarët, që është qasje rajonale.

“Ka një vështrim historik që fillon nga pavarësia e Shqipërisë. Po ashtu mund të thuhet edhe për bashkësinë maqedonase, ajo përafërsisht është e orientuar drejt SHBA-ve. Maqedonia e kishte atë luks që presidenti amerikan në vitin 2008 të lobojë për Maqedoninë. Nga ana tjetër ka disa tendenca të disa elitave të caktuara politike që orvaten të stigmatizojnë, të vënë disa shenja pikëpyetjeje për interesat e Amerikës lidhur me Maqedoninë, ndoshta marrëdhënia shqiptaro-amerikane është problematik për disa pjesë më ekstreme të bashkësisë maqedonase dhe atë në opinion ta promovojnë si tendencë e Amerikës që të minimizojë interesat maqedonase këtu, ndërsa kur e tregojnë këtë nuk përmendin përpjekjet e SHBA-ve për eurointegrimet e Maqedonisë”, thekson Musliu.

Ai përkujton se për “sigurimin e pavarësisë së Maqedonisë dhe integritetin territorial në vitet e hershme të nëntëdhjeta erdhi këtu UNPREDEP në momentin kur Jugosllavia digjej, kur kishte luftëra këtu. Ndihma e tyre e jashtme në financa ishte e madhe për Maqedoninë për reforma në mbrojtje dhe të tjera. Në thelb, mendoj se edhe shumica e maqedonasve etnik janë për Amerikën dhe për vlerat që shtetet amerikane i promovojnë”.

Përveç kësaj, Musliu konsideron se ka një pjesë të grupacioneve të caktuara në vend që këmbëngul që amerikanët t’i tregojë në pasqyrë krejtësisht tjetër, gjegjësisht se ata nuk janë miqësor ndaj Maqedonisë.

“Ekziston një pjesë e caktuar e cila jo për shkak të orientimeve ruse, por për shkak të ndarjes së disa parimeve demokratike orvatet të tregojë se amerikanët nuk janë të orientuar në mënyrë miqësore ndaj Maqedonisë. Më herët kishim incidente, në vitin 1999, kur digjej flamuri i SHBA-ve para ambasadës, këmbëngulej edhe dhunshëm që të hyhet në ambasadën amerikane, por krahasuar incidente të tilla në shtetet tjera, këto incidente janë minore. Ky ishte një grup i vogël që edhe në ato momente keqpërdori ndjenjën miqësore të maqedonasve ndaj serbëve që ajo të tregohet si qëndrim negativ i maqedonasve ndaj amerikanëve. Sidoqoftë, mbështetja në Maqedoni do të ishte më e madhe”, konsideron Musliu.

Është absurd qëndrimi i Greqisë në raport me kontestin e emrit”

Kontesti shumëvjeçar i Maqedonisë me fqiun e saj jugor Greqinë është një nga pengesat kryesore për eurointegrimet e vendit, që në mënyrë konstante përsëritet. Musliu konsideron se qëndrimi i Greqisë në raport me këtë çështje është absurd.

“Qëndrimi i Greqisë në raport me këtë çështje është absurd. Është jonormale që në shekullin 21 të insistoni që një shtet ta ndërrojë emrin e vet. Por këtu tashmë ekziston një marrëveshje ndërkombëtare, të cilën Maqedonia e pranoi dhe e nënshkroi, dhe në pajtim me këtë duhet të veprojë. Në asnjë rast nuk mund ta amnistojë, dhe si ndaj një njeriu kjo është absurde. Nga ana tjetër, integrimet tona euroatlantike shkonin në një rrjedhë normale. Madje edhe në një fazë të komplikuar të konfliktit në Maqedoni në vitin 2001, ne nënshkruam Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim. BE pikërisht për shkak të kësaj ndjenje të pakëndshme që shtetet evropiane e kanë për shkak të këtij kontesti, nuk mund të ndiheshin komod kur një anëtare e tyre insiston në diçka që është paradoksale, por modeli i tyre i vendimmarrjes është konsensusaliteti”, thekosn Musliu.

Ai shtoi se nga viti 2006 është bërë kthesë totale në raport me problemin e emrit. “Nëse Greqia orvatej që të elaborojë qëndrimin absurd, nga viti 2006 Maqedonia provokonte gjendje që për ne ishin të panevojshme”, tha ai.

Sipas tij, për tejkalimin e problemit me emrin, nevojiten përpjekje më të mëdha nga të dyja palët. “Një një atmosferë të tillë, kur pala greke do të ishte me tolerante, me Qeverinë e Ciprasit e cila në thelb do të duhet të ishte më kosmopolite, ata janë ultra-majtistë të orientuar, ndoshta do të ishte më lehtë që të kalohen disa faza nga integrimet euroatlantike. Mendoj se Qeveria jonë nuk bëri sa duhet që kjo të tejkalohet. Mendoj se me një politikë të mirë të jashtme pala greke ka mund lehtë të bindet se fillimi i negociatave nuk do të thotë përfundim i problemit me emrin, sepse edhe po të kryhej negociatat me emrin të gjitha anëtaret mund ta bllokojnë këtë proces në fund, siç ndodhte”, thekson Musliu.

Çështja e emrit, thekson Musliu, është proces më i gjatë për të cilin nevojitet kohë.

“Të gjitha këto tensione, kjo atmosferë duhet disi të tejkalohet. Nuk bëj paralele mes zgjidhjes së çështjes së emrit dhe zhbllokimit të integrimeve evropiane. Madje mund edhe integrimet në NATO të zhbllokohen, sepse Greqia çdoherë ka mekanizëm sesi ajo të ndërpritet. Do të duhet kohë, por mendoj se për Maqedoninë kjo kohë nuk është problematike nëse zhbllokohet procesi i negociatave, ndërsa ndërkohë në mënyrë më intensive të punohet në vetëdijen e qytetarëve dhe gjetjen e ndonjë kompromisi”, vlerëson Musliu.

Maqedonia si urë mes shteteve të Ballkanit

Duke folur për perspektivat e ardhshme të vendit, analisti Musliu thotë se Maqedonia ka parakushte të mira për arritjen e rritjes ekonomike dhe zhvillimit të përgjithshëm.

“Maqedonia ka parakushte të mira. Maqedonia është vend i qetë, ka relativisht popull të qetë. Ka pozitë të mirë gjeografike dhe përbërje etnike e cila mund ti ndihmojë të jetë urë mes shumë shteteve në Ballkan. Maqedonia duhet patjetër të kalojë një katarsë. Maqedonia do të ketë problem me një grup të caktuar që ti heq frikën dhe në atë duhet të punohet. Tani atmosfera është më fleksibile se sa para 15 vitesh. Shoqëria në Maqedoni është më e hapur që i jep mundësi të mirë. Maqedonia do të duhet patjetër të punojë në kohezionin e saj shoqëror”, thotë Musliu duke shtuar se në krahasim me potencialet ekonomike është e nevojshme që të punohet në mënyrë strategjike me qëllim shfrytëzimin e kapitalit vendor dhe të huaj.

Ai tha se remitencat në vend kapin vlerën mbi një miliard euro, që është potencial i mirë për investime në ekonominë vendase.