Më 21 nëntor do të fillon fushata parazgjedhore në Maqedoni. Konform marrëveshjes së Përzhinos partitë politike në pushtet duhet të përmbahen nga të gjitha aktivitetet propagandistike që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e buxhetit shtetërorë për të fituar poena politik para popullatës.

Mirëpo gjatë kësaj periudhe partia e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, gati se çdo ditë premton hapjen e mijëra vendeve të reja të punës, investime të huaja, rritjen e pensioneve dhe projekte të tjera.

Një pjesë e analistëve në Maqedoni thonë se premtimet të cilët i bëjnë politikanët gjatë fushatës parazgjedhore, asnjëherë nuk janë realizuar.

Analisti Albert Musliu thotë se periudha e deritashme ka dëshmuar se premtimet e partive nuk janë realizuar thuajse asnjëherë dhe kjo ka bërë që qytetarët të humbin besimin dhe këtë më së shumti e kanë shprehur me mosdaljen e tyre në votime. Kjo, sipas tij, para së gjithash vërehet te shqiptarët për shkak dëshpërimit nga dështimet e partive të tyre përfaqësuese.

“Unë mendoj se i gjithë ky aktivitet i vrullshëm në këtë periudhë ka më shumë efekt negativ se sa pozitiv. Sa i përket besueshmërisë së premtimeve, vlerësoj se qytetarët tashmë e kanë një qëndrim se do të jenë më skeptik për çdo premtim që do të japin politikanët, pasi ata janë ngopur nga premtimet. Kështu që gjithë kjo që ,bëhet vlerësoj se është më shumë humbje kohe se sa arritja e ndonjë efekti që politikanët duan“, vlerëson për Zhurnal Musliu.

Por, shpallja e konkurseve për punësime, rritja e pagave, e pensioneve, paralajmërimet për investime, subvencionet në bujqësi, ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore, vendosja e gurthemeleve të objekteve të ndryshme, flasin qartë për intensitetin në rritje të aktiviteteve të drejtuesve të institucioneve.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në Maqedoni do të mbahen më 11 dhjetor të këti viti. Faktori ndërkombëtar do të angazhoj shumë monitorues me të vetmin qëllim që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Maqedonia gjatë dy viteve të fundit ishte në qendër që kritikave nga Brukseli dhe Uashingtoni, për shkak se për herë të parë u publikua afera e përgjimeve, ku ish funksionarë të qeverisë së Gruevskit kanë qenë të përfshirë në krim dhe korrupcion me përmasa të mëdha.