Ish-kryeministri i vendit, njëherësh lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se tarifën e kësaj qeverisje nuk po e paguan Serbia dhe Bosnja, por 100% po e paguan Kosova.

Mustafa ka thënë se derisa nga Dogana deklarohet se importet nga këto vende kanë rënë 99%, marketet në vend janë përplot me mallra serbe e boshnjake.

“Kështu thonë qytetarët! Ndërkaq ne gjithnjë e më shumë po e paguajmë taksën/tarifën e evazionit fiskal, korrupsionit, nepotizmit, punësimit partiak; po e paguajmë lobimin e njërit dhe tjetrit, kapjen e kompanive publike dhe agjencioneve të pavarura; po e paguajmë targën e abstenimit të prokurorisë dhe gjyqësisë ndaj shkeljeve dhe abuzimeve; targën e shkeljeve të Kushtetutës si pasojë e pazareve të koalicionit qeverisës për votat që i mungojnë për të qeverisur”, ka shtuar Mustafa, transmeton Indeksonline.

Tutje i pari i LDK-së theksoi se në Kosovë, për më shumë se një vit, dialogu për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë ka bërë që institucionet dhe opinioni publik të mos merren me zhvillimin ekonomik, punësim, arsim e problemet e shëndetësisë.

“Thua se ushqimi për popullatën tonë është dialogu, se arsim është dialogu e shëndet është dialogu me Serbinë?! Dialogu është shndërruar në garë për t’ia treguar njëri tjetrit muskujt brenda koalicionit të brishtë qeverisës, por edhe në instrument për të mbajtur pushtetin. Është bërë si arenë e gladiatorëve, ku sunduesit e zhvendosnin vëmendjen e qytetarëve nga problemet e tyre”, shtoi Mustafa.

Kryetari i LDK-së tha njëashtu se nëse dikush nga koalicioni qeverisës e do këtë vend, e që theksoi se nuk dyshon se ka të tillë, atëherë duhet ta pranojnë se e kanë mashtruar popullin dhe vetveten me parullat e PDK-së të vendimeve të mëdha dhe se vendimi i drejtë është të japin dorëheqje.

“Të vetëshkarkohen e të shkojmë në zgjedhje.

Dhe, vendim i drejtë i ndërkombëtarëve do të jetë të mos bëjnë presion për dialog, sepse as gjë e mirë, përpos ushqimit të popullizmit, nuk arrihet nën presion të tillë”, përfundoi Mustafa.