Lideri i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se sot është dëshmuar se shteti i Kosovës po funksionon.

Mustafa në RTV Dukagjini ka thënë se Gjykata Kushtetuese është treguar shumë e përgjegjshme.

“Konsideroj se vendimi duhet të përkrahet e zbatohet dhe se vendimi është në dobi të forcimit të demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës”.

Kryetari i LDK-së thotë se pret që vendimi të pranohet nga të gjithë pasi është përfundimtarë dhe nga instanca më e lartë e shtetit të Kosovës.

Mustafa ka thënë se vendimi i Kushtetueses nuk është në dëshirën e Vjosa Osmanit apo dikujt tjetër.

“Thirrja e seancës nuk është çështje vullneti personal e kryetares së Kuvendit apo dikujt tjetër. Me rregullore të Kuvendit nëse 40 deputetë kërkojnë seancë ajo duhet të mbahet”, tha Mustafa.

Ndërkaq në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se LDK gjithherë ka respektuar vendimet e kësaj Gjykate dhe ka kontribuar që ky institucion të jetë i pavarur dhe ta gëzojë besimin e plotë.

“Janë këto personalitete që mbajnë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë të ri. Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë . Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë”, ka theksuar Mustafa.