Kryeministri, Zoran Zaev, tani po e promovon veten si lider edhe i BDI-së, kështu vlerëson opinionisti dhe publicisti, Latif Mustafa. Ai në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se Zaev gjithashtu po përpiqet që të formojë një ‘LSDM shqiptare’.

Ja postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

“Zbarkimi Zoran Zaevit në fushatën elektorale të përbashkët me BDI-në, përpos presionit që bën mbi qytetarët përmes mantelit të kryeministrit dhe fuqisë së pushtetit qendror, pas fitores bindëse në Haraçinë dhe realizimit të parë të inxhinieringut të tij, tani ka filluar etapën e dytë të inxhinieringut. Etapa e dytë është promovimi i tij si lider edhe i BDI-së dhe “dora e hekurt” për ta ri-strukturuar këtë parti për ta formuar një “LSDM-në shqiptare”.

Në anën tjetër, BDI-ja duke u mbështetur në legjitimitetin e luftës përmes platformës së “integrimit” është përpjekur ta shkërmoq dhe neutralizon “nacionalizmin” si parim politik dhe si parim i vetëm i mobilitetit tek shqiptarët.

Shpallja e “vdekjes së nacionalizmit” nga ana e Zoran Zaevit, tingëlloi sikur shpallje e vdekjes së “legjitimitetit të luftës së UÇK-së” tek shqiptarët. Shqiptarët (BDI-ja) tashmë kanë një legjitimitet të ri, Zoran Zaev. Futuristët e mirë, bëjnë edhe analizën e mirë të konsekuencave gjatë parashikimit të scenariove. Këtu vetëm një scenario është huqur, pamundësia e parashikimit të metafizikës shqiptare”.