Rreth 30 mijë ushtarë, 200 avionë dhe 50 anije nga 27 shtete do të vendosen në Norvegji për stërvitjen më të madhe që përfshin trupat e NATO-s këtë vit.
Operacioni i koduar “Cold Response 2022” (Pergjigjja e Ftohtë 2022) do të nisë të hënën më 14 mars. Stërvitja ushtarake ishte planifikuar prej kohësh të ndodhte, raporton BBC, por përballë pushtimit të Ukrainës nga Moska, kjo stërvitje merr një vlerë më të madhe për vetë faktin se nuk është shumë larg kufirit me Rusinë.
Duke nisur më 14 mars, manovrat do t’u mundësojnë vendeve perëndimore të përmirësojnë aftësitë e tyre luftarake në klimën e ftohtë të Norvegjisë, duke përfshirë në Arktik, në tokë, në det dhe në qiell shkruan AFP
“Kjo stërvitje është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë e Norvegjisë dhe aleatëve të saj “, tha për AFP ministri norvegjez i mbrojtjes Odd Roger Enoksen.