NATO-ja tha të enjten se ishte e shqetësuar për rritjen e pranisë ushtarake ruse pranë kufijve të Ukrainës, ndërkohë që ambasadorët e aleancës u takuan për të diskutuar mbi shtimin e dhunës në rajonin lindor të Ukrainës, Donbass.

Një zyrtar i NATO-s tha për agjencinë Reuters se Moska po minon përpjekjet e paqes në Ukrainën lindore, transmeton VoA.

“Aleatët ndanë shqetësimet e tyre në lidhje me aktivitetet e fundit ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe rreth saj. Aleatët janë gjithashtu të shqetësuar për shkeljet nga Rusia të armëpushimit të korrikut 2020 që çuan në vdekjen e katër ushtarëve ukrainas javën e kaluar,” tha zyrtari i NATO-s.

Ai tha gjithashtu se “veprimet destabilizuese të Rusisë minojnë përpjekjet për të ulur tensionet.”

AKUZA TË NDËRSJELLA

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy tha të enjten se shtimi i tensioneve në rajonet lindore të Ukrainës tregon se Rusia po përpiqet të krijojë një atmosferë kërcënuese për bisedimet e armëpushimit.

“Demonstrimi i muskujve në formën e manovrave ushtarake dhe provokimeve të mundshme përgjatë kufirit është një praktikë tradicionale ruse,” tha Presidenti Zelenskiy.

Komentet erdhën pas deklaratës së Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili, sipas agjencisë së lajmeve Tass, tha të enjten se çdo përpjekje për të filluar një konflikt të ri ushtarak në pjesën lindore të Ukrainës, mund të çojë në shkatërrimin e vendit.

Kremlini tha po sot se lëvizjet e fundit të trupave ruse dhe të pajisjeve ushtarake pranë kufijve me Ukrainën kishin për qëllim garantimin e sigurisë së Rusisë dhe nuk ishin kërcënim për askënd.

Këtë javë komandanti i përgjithshëm i Ukrainës akuzoi Moskën për shtimin e forcave pranë kufirit të tyre të përbashkët dhe tha se separatistët pro-rusë po shkelnin sistematikisht armëpushimin.