Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare, ish-presidenti i Iranit, Akbar Hashemi Rafsanjani.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se ish-Presidenti ka ndërruar jetë një ditë më parë në një spital në Teheran pas një sulmi në zemër.

Rafsanjani konsiderohej si një politikan “pragmatik konservator”, i hapur ndaj përmirësimit të raporteve me perëndimin.

Udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei, ka thënë se vdekja e tij përbën humbje “të vështirë dhe të madhe”.

“Mendimet dhe interpretimet e ndryshme gjatë kohës nuk kanë mundur ta prishin miqësinë” ndërmjet nesh, ka thënë Ajatollahu Khamenei.

Rafsanjani ishte president i Iranit në periudhën 1989 – 1997, por humbi kundër Mahmud Ahmadinejadit, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2005.

Qeveria iraniane ka shpallur tre ditë zie për ish-Presidentin, i cili do të përcillet me nderime shtetërore në Teheran.