Është ndërprerë greva e urisë në burgun e Manastirit. Dy nga tre të burgosurit janë transferuar në burgjet e Shkupit dhe Kumanovës. Gjatë ditës së sotme pritet që edhe i burgosuri i tretë të transferohet, njofton Tv21.
“Nga drejtoria për zbatimin e sanksioneve ende nuk është dorëzuar informacion me shkrim deri tek avokati i popullit, megjithatë, gjatë kontakteve me drejtorinë e burgut në Manastir, morëm informacion se dy persona tashmë janë transferuar në institucionet ndëshkues-korrektues, njëri prej tyre në vendin e tij banimi, ndërsa i burgosuri tjetër afër vendbanimit të tij”, tha Liljana Ilievska, zyra e Avokatit të Popullit, Manastir.
Tre të burgosurit një kohë më të gjatë kanë dorëzuar kërkesa deri te drejtoria për zbatimin e sanksioneve, por prej atje ua kanë refuzuar të njëjtat. Për kërkesën e fundit, fare nuk u janë përgjigjur.
“Që të tërheqin vëmendje dhe azhurnim gjatë procedurës së drejtorisë për zbatimin e sanksioneve, ata vendosën të mbanin grevë. Në bisedën me ata, njëri nga të burgosurit theksoi se në qoftë se nuk i përgjigjen edhe kësaj kërkese, ai është i gatshëm që të ndërmarrë hapa më radikale duke lënduar veten”, tha Ilievska.
Rexhep Memishi është një nga të burgosurit i cili në telefon dha deklaratë për TV21. Ai u ankua se në mënyrë të padrejtë mbahet në burgun komunal, për shkak se është dënuar me 7 vjet burg.
“Për dënim prej shtatë viteve po e vuaj dënimin në këtë burg që është burg komunal. Nuk ka kushte për dënimet që zgjasin shtatë vjet. Andaj do ju lusja që të dërgoni kërkesë deri tek avokati i popullit të Maqedonisë, që të vijë të na vizitojë”, tha Rexhep Memishi, i burgosur në burgun e Manastirit.
Pas kronikës së publikuar, Memishi është transferuar në Kumanovë.
Tre të burgosurit grevën e urisë e nisën të premten. Ata u ankuan për kushtet e këqija në burg, për torturë dhe diskriminim në bazë religjioze. Burgu në Manastir ka kapacitet për 60 persona në repartet për burgim dhe 22 persona në repartet për paraburgim.