Ndërtimet e shumta në Komunën e Çairit vazhdojnë të mbetet një problem shumë shqetësues për banorët e kësaj komune, njofton SHENJA.

Ndërtimet, të cilat zënë hapësira të shumta, u shkaktojnë shumë dëme banorëve. Së fundmi, projekti që ka filluar një kompani private në lagjen e Seravës, ka revoltuar banorët e kësaj lagje. Punët ndërtimore po realizohen me makineri të rëndë brenda një lagje banimi shumë të dendur dhe sipas banorëve puna e tyre paraqet rrezik permanent si për jetën e qytetarëve po ashtu edhe për stabilitetin e objekteve për rreth. Ata thonë se nuk kanë qenë të informuar rreth këtij ndërtimi, pasi investitori nuk ka vendosur madje as tabelë informuese, ndërsa dëmi që u shkakton atyre është jashtëzakonisht I madh.

“Këtu kemi përreth shumë dëme. Kemi trauma të mëdha çdo ditë. Dridhet shtëpia dhe toka sikur të ketë tërmet çdo 15 minuta. Kjo është makineri shumë e rëndë dhe më këtë makinerinë nuk mund të punohet në këtë rrethinë. Këtë duhet ta dijë edhe komuna, nuk e di pse nuk ndërmerr masa komuna. Gjithë janë jashtë, pleq, fëmijë, të gjithë zgjohen në ora 7 kur të fillojnë punimet dhe makineria rëndë, dridhen të gjithë”, thotë banori i lagjes, Eroll Zyberi.

Banorët thonë se janë ankuar për këtë çështje edhe tek organet kompetente, megjithatë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Vetëm me dal gjithë fqinjët me u mbledh dhe me largu me dhunë. Duhet të ndërmerr masa komuna apo dikush tjetër. Këtu e kemi policinë dhe komunën afër dhe askush nuk reagon”, thekson Zyberi.

Banorët kanë dorëzuar edhe peticion deri te Komuna e Çairit në të cilin kanë sqaruar kërkesat e tyre. Në peticionin e dorëzuar mes të tjerash thuhet: “Duke pasur parasysh se investitori nuk ka vendosur tabelën, në vendin ku po zhvillohen aktivitetet ndërtimore, që të informohet komuniteti se punët ndërtimore për përgatitjen e parcelës për ndërtim janë duke u kryer në bazë të lejeve të dhëna nga organi kompetent komunal, ne banorët e rrugës MESTA kërkojmë që organi përgjegjës, gjegjësisht inspektorati i ndërtimit, të dal në vendin e ngjarjes të verifikoj dhe të detyroj investitorin që të vendos tabelën informuese për të informuar komunitetin për aktivitetin ndërtimorë dhe të marrë të gjitha masat, konform ligjit, për të siguruar punishten brenda parcelës ndërtimor për kryerjen e punëve të parapara”.

Në peticion më tej theksohet se nëse investitori nuk është pajisur me dokumentacionin përkatës për zhvillimin e punëve ndërtimore atëherë kërkojnë nga organet kompetente që urgjentisht të ndërpresë punimet. Sipas banorëve, nëse organet komunale nuk marrin masa atëherë do t’u drejtohen organeve republikane./shenja