Është hedhur shorti për ndeshjet e balotazhit për Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Skuadra e Renovës mbijetesën në elitë do ta kërkojë në përballjen ndaj Ohrit, ndërsa Sileksi do ti matë forcat me Tikveshin.

Ndeshjet do të luhen me 25 maj, me Sileksin dhe Tikveshin që do ta zhvillojnë ndeshjen në arenën “Todor Proeski”, ndërsa Renova me Ohrin takohen në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë FFM-së.

Të dyja takimet do të luhen në termin të njëjtë, nga ora 16:00. Fituesit e ndeshjeve, do të luajnë sezonin e ri në Ligën e Parë.

Kujtojmë se në ndeshjet e balotazhit nuk do të ketë vazhdime, dhe në rast të rezultatit të barabartë pas 90-të minutave, fituesi do të përcaktohet përmes penalltive.