Muajin e kaluar emri i Volkan Karagöz, njeriut të dytë në Ambasaden Turke në Bernë u paraqit në një listë të zyrtarëve që do të pushoheshin nga puna në institucionet shtetërore, si të dyshuar për lidhje me Fethullah Gülenin
 
Një numër i konsiderueshëm i shtetasve turq me pasaportë diplomatike kanë kërkuar azil në Zvicër. Në mesin e tyre është edhe ish njeriu numër dy në Ambasadën e Turqisë në Bernë, Volkan Karagöz, shkruajnë gazetat “Tages Anzeiger” dhe “Berner Zeitung”. Si diplomat karriere me përvojë, ai gjatë vitit të kaluar ka mbajtur për një kohë edhe postin e ushtruesit të detyrës së ambasadorit të Turqisë në Zvicër.

Pas dështimit të puçit ushtarak ai në një konferencë shtypi ishte paraqitur duke kërcënuar “terroristët” me ndjekje penale ndërkohë që në artikuj gazetareskë lavdëronte Turqinë si shtet shembullor të së drejtës.

Por, muajin e kaluar emri i tij u paraqit në një listë të zyrtarëve që do të pushoheshin nga puna në institucione shtetërore, si të dyshuar për gjoja lidhje me Fethullah Gülenin, transmeton albinfo.ch. Siç dihet, presidenti turk, Erdogan e akuzon Gülenin dhe ithtarët e tij se qëndrojnë mbrapa grushtit të shtetit. Kështu, Karagöz u bë “gülenist”, i cili në atdhe kërcënohet me burg. Ai gjatë muajit shkurt është urdhëruar të ktheht në Ankara por e ka kundërshtuar urdhrin. Karagöz me familjen ka kërkuar azil në Zvicër.

Ndërkaq, rasti Karagöz nuk është i vetëm. Këshilli Federal në seancën e pyetjeve të mbajtur të hënën në Parlament ka vërtetuar se “bartës të veçantë të pasaportës diplomatike turke” kanë kërkuar azil në Zvicër. Por, qeveria nuk ka dhënë detaje pasi që bëhet fjalë për raste të izoluara.