Ndihmës së Shpejtë në Maqedoni urgjentisht i duhet ndihmë!

Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë në Maqedoni nuk ka ekipe të mjaftueshme dhe është joefikas. Gjithashtu, (pa)kultura e qytetarëve ndikon në reagimin e tyre të ngadalshëm. Për rreth 2 milionë qytetarë në funksion janë vetëm 156 autoambulanca.

Në bazë të Dekretit për Ndihmën e Shpejtë Mjekësore, në Maqedoni, për 1 miliardë e 991 mijë banorë sa figurojnë aty, ka 285 ekipe, kurse duhet të ketë 303 ekipe të ndihmës së shpejtë.

Shtëpia e Shëndetit e Shkupit dhe ajo e Tetovës janë duke bërë shkelje të Dekretit, sepse Shkupi duhet të ketë 64 ekipe të Ndihmës së Shpejtë ndërsa ka 45. Nga ana tjetër, Tetova duhet të ketë 21 ekipe të ndihmës së shpejtë kurse ka 13.

Autoambulancat në përdorim, të amortizuara dhe të vjetërsuara

Përveç ekipeve të pamjaftueshme, në joefikasitetin e shërbimit të ndihmës mjekësore të shpejtë është duke ndikuar edhe gjendja aktuale e autoambulancave. Shumica e autoambulancave që shfrytëzohen janë të amortizuara dhe të vjetërsuara. Ka pasur raste që në to kemi edhe humbje të jetëve të njerëzve.
Për të shmangur këto situata, Ministria e Shëndetësisë premtoi ndërrim të autoambulancave në bazë të kilometrazhës, gjë me të cilën nuk pajtohen automekanikët, sepse ato kërkojnë ndërrim të veturave në bazë të kilometrazhës në qytetet jashtë Shkupit, e kurse në Shkup ajo të bëhet në bazë të përdorshmërisë.

Probishtipi me autoambulancën më të vjetërPër amortizimin dhe vjetërsinë e autoambulancave ka alarmuar edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe më 17 nëntor të 2019-s njoftoi se ka blerë 12 autoambulanca të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, për arsye siç tha ai “për ta përmirësuar gjendjen kaotike të këtij shërbimi”.

Autoambulancat do të porositen më së voni më 4 prill

Për 12 autoambulancat është nënshkruar marrëveshje më 7 dhjetor të 2018-s, dhe është përzgjedhur oferta më e lirë që kap vlerën prej 21.591.564,48 denarë. Një veturë do të kushtojë 1.799.297 denarë, përgjysmë më lirë se sa 70 veturat e fundit që u furnizuar në vitin 2012. Njëra nga veturat e vitit 2012 ka kushtuar 3.921.429 denarë.

Në praktikë veturat edhe pas dy muajve nuk punojnë sepse ende nuk janë porositur as nga ndërmarrja e kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë e cila është “Automotiv Grup”. Afati i fundit për sjelljen e veturave është 120 ditë nga dita e nënshkrimit – 4 prill 2019.

“Ne kemi nënshkruar tender me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe me tenderin parashihen datat se deri kur mund t’i porositim veturat. Veturat ende nuk i kemi porositur. ”, tha Simona Nikollovska, përgjegjëse e sektorit të marketingut në ndërmarrjen “Automotiv Grup”.

Shpërndarja e autoambulancave – pa kriter

Gjashtë nga 12 autombulancat e reja janë planifikuar për Shkupin, por nuk dihet se kush do t’i fitojë të tjerat, sepse nuk ka kriter të qartë për shpërndarje. Ministri Filipçe tha se nuk ka ndonjë kriter specifik si do të shpërndahen veturat, por për nevojën e tyre do të pyeten drejtorët e shtëpive të shëndetit.

“Në bazë të gjendjes momentale të veturave me të cilat disponon Ndihma e Shpejtë. Të jemi realist, ka shtëpi të shëndetit që thonë se ne nuk kemi nevojë për vetura”, pati deklaruar ministri Filipçe për Portalb.mk.

Gjashtë shtëpi të shëndetit kanë kërkuar vetura, Tetova jo

Intervenime duhet të bëhen në shtëpitë e shëndetit ku kanë autoambulanca të amortizuara dhe të vjetërsuara, dhe ku ka numër të ekipeve dhe të autoambulancave që nuk korrespondon me numrin e popullsisë, rasti është me shtëpitë e shëndetit të Kërçovës, Probishtipit, Tetovës, Kumanovës, Gostivarit, Koçanit dhe Dibrës. Që të gjitha kanë bërë kërkesa për autoambulanca, përveç Tetovës, e cila ka kërkuar vetëm ekipe shtesë.

“Në emrin e Spitalit, ne kemi bërë një kërkesë për një veturë dhe e kemi dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Kam të dhëna se edhe Dibrës i kanë ndarë një veturë”, tha drejtori i Spitalit të Përgjithshëm me veprimtari të zgjeruar, Baki Alili.

“Kemi kërkuar që të na aprovohet edhe kredi, për të marrë edhe një veturë të re, por nuk e di çfarë do të bëhet. Mua më kanë premtuar një veturë se do të ma japin, dhe kjo do të më mjaftonte sa për të shërbyer në Kërçovë. Përveç Kërçovës, ne e mbulojmë edhe territorin e Makedonski Brod dhe Pllasnicës”, tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit të Kërçovës, Xhabir Bajrami.

“Ka pasur aksion, dhe tash është dorëzuar kërkesa për dy vetura të reja”, tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit të Koçanit, Aleksandar Serafimov.

“Na kanë premtuar prej Ministrisë që një veturë nga këto të rejat, do të na japin edhe neve. Na kanë premtuar që edhe gjatë vitit 2019 do të na japin edhe një veturë. Në ditë i kemi dy vetura në dispozicion”, tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit të Kumanovës, Adrian Afuzi.

“Kemi parashtruar kërkesa, kërkesa, kërkesa,… por deri tash nuk kam informacione se do të fitojmë ne. Unë më shumë kam kërkuar veturë terreni, se a do të fitoj nuk e di”, tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Probishtip, Goce Nedellkovski.

“Për kushte optimale do të kishim nevojë edhe për dy vetura, por nëse e fitojmë një, atëherë është shumë mirë”, tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit të Gostivarit, Sunaj Mazllami.

“Për vetura nuk kemi dorëzuar kërkesë. Duhet të shohim se me ekipet e reja a do të ketë nevojë për vetura të reja. Deri tash, me ekipet që i kishim në dispozicion ishin të mjaftueshme. Por me ekipet e reja do ta shohim a do të kemi nevojë për vetura të reja”, tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit të Tetovës, Borisllav Jorgaqievski.

6 milionë denarë janë shpenzuar për mirëmbajtjen e 40 autoambulancave

Portalb-i ka dorëzuar kërkesë për qasje deri te informacionet me karakter publik në 16 shtëpi të shëndetit, për atë sa buxhet shkon për shërbimin e shpejtë, dhe sa para janë harxhuar për mirëmbajtjen e autoambulancave, por vetëm nga tetë prej tyre ka arritur të marrë përgjigje.

Sipas të dhënave, rreth 6 milionë denarë janë shpenzuar për mirëmbajtjen e 40 autoambulancave, nga tetë shtëpi të shëndetit.

Ministria ende pa rezultat nga analiza e fizibilitetit, nuk tregon se kush është duke e realizuar

Më 14 nëntor është mbyllur thirrja për paraqitje për kryerjen e Analizës së Fizibilitetit me partneritet publik privat. Qëllimi i analizës është që të gjenden mënyrat e funksionimit të shërbimit të ndihmës së shpejtë në Maqedoni. Partneriteti publik-privat ngjalli reagime të shumta në opinion, të cilët kundërshtuan mundësinë e privatizimit të ndihmës së shpejtë.
Pas më shumë se dy muajve, ende nuk kemi informatë zyrtare se kush është duke e punuar analizën, sa do të zgjat analiza, dhe nëse e njëjta ka përfunduar, cilat janë gjetjet?

Portalb disa herë ka insistuar për ta kuptuar këtë gjë, por ministri Filipçe njoftoi vetëm se analiza është duke u realizuar.

“Ende nuk ka përfunduar. E ka fituar një ndërmarrje që ka konkurruar, me procedurë ankand elektronik, e kanë ulur çmimin, kanë afat prej 60 ditësh, të cilat ende nuk kanë kaluar”, tha ministri Filipçe.

Portalb: Pse nuk është publikuar tenderi në “E – furnizime”?
Ministri Filipçe: Mendoj se do të duhej të ishte në “E – furnizime”. Por do ta vërtetoj.
Portalb: Nuk është publikuar, ne e kemi kërkuar. Cila është ndërmarrja që e ka fituar tenderin?
Ministri Filipçe: Nuk e di që të ju tregoj. Do të ju njoftojmë në mënyrë shtesë.


Edhe pse ministri publikisht njoftoi se do të tregojë për subjektin që e ka fituar tenderin për kryerjen e studimit të fizibilitetit, kjo gjë nuk u bë edhe pse pyetjet ka dy javë që janë dorëzuar në Ministri dhe po presin përpunimin e Komisionit për Furnizime Publike të Ministrisë.

SHPËRNDAJE