Stacionet matëse të ministrisë së Ambientit Jetësor edhe sot treguan nivel shumë të lartë të ndotjes në shumë qytete të vendit. Sipas këtyre matjeve, komuna e Karposhit, Qendra, Gazi Baba dhe Tetova rezultojnë si vendbanimet më të ndotura. Qytetarët e anketuar nga Alsat thonë se institucionet kompetente nuk po ndërmarrin masa serioze për përmirësimin e gjendjes.

“Qeveria duhet të ndërmerr diçka ta rregullojë çështjen e ndotjes. Unë mendoj se qeveria nuk po bën mjaftueshëm, nuk po shoh se po bën diçka rreth kësaj çështjeje”.

“Duhet t’i lemë veturat në shtëpi dhe të ecim në këmbë ndoshta kjo ndikon që ajri të jetë më pak i ndotur.

“Duhet të ketë më shumë gjelbërim dhe jo kështu të shkatërrohet e gjitha”.

“Bronkiti po shfaqet gjithë kohës, nuk e di punën e institucioneve se çfarë po bëjnë por që është ndotur është shumë dhe se duhet diçka të ndërmerret rreth asaj.

Mjekët thonë se ndotja e lartë e ajrit ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve.

”Sigurisht që kjo situatë është alarmante pasi që na shtohet numri i pacientëve të cilët janë të prekur nga sistemi respirator, si pasojë e ndotjes së ajrit dhe për shkak të ndryshimeve klimatike. Pacientët si vetëmbrojtje duhet të ndërmarrin ,mos daljen jashtë pa nevojë, apo kur të dalin jashtë të përdorin mjete mbrojtëse që direkt të mos e thithin ajrin e ndotur, grimcat që janë kancerogjene”, këshillon mjeku i përgjithshëm, Bekim Ismaili.

Pak kohë më parë Qyteti i Shkupit u rekomandoi qytetarëve të mos lëvizin me makina dhe të përdorin dru të pastër për ngrohje, por nuk ka ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e gjendjes. Përfaqësuesit e sektorit civil ditë më parë protestuan kundër ndotjes dhe kërkuan nga Qeveria masa emergjente kundër ndotjes, por kërkesat e tyre nuk u morën parasysh./Alsat-M