Nëpërmjet studimit të literaturës ndërkombëtare, magjistri Besnik Sulejmani ka informuar se punimi evidenton faktin se krimet e mjedisit janë bashkudhëtarë të zhvillimit shoqërisë njerëzore nga lashtësia e deri ditët e sotme, por pasojat më evidente dhe vështirë të rikooperueshme janë pas viteve 70 ta te shekullit të kaluar, ku shtetet janë të interesuara për një rimëkëmbje si industriale po ashtu edhe infrastukturore, pa mbajtur llogarinë për pasojat të cilët ju shkaktohen mjedisit

Publikuar në Dhj 5, 2017
12
Shpërndaj
Tetovë, 5 dhjetor – Besnik Sulejmani është magjistri i ri që më sukses ka mbrojtur temën e diplomës “Trajtimi i krimeve kundër mjedisit jetësor si krime kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare”, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës. Para mentorit prof.dr.Afrim Osmani dhe anëtarëve të Komisionit: docent.dr.Milaim Fetai dhe PhD. Qebir Avziu, Sulejmani tha se paraqiti studimin dhe analizën komplekse e trajtimit të krimeve të mjedisit si krime kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, duke trajtuar periudhat e ndryshme, si dhe shtjellimit të hipotezave bazë të këtij punimi nëpërmjet metodologjive shkencore të prezantuara në pjesën e hyrjes së punimit.

“Ky material përmbledh punën në lidhje me krimet mjedisore, ku dhe fokusi kryesor i këtij studimi ka qenë trajtimi i krimeve si krime kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare duke dhënë një pasqyrë të përgjithshme të kornizës ndërkombëtare. Sipas hulumtimeve tona, Ligji penal luan një rol kritik në mbrojtjen e mjedisit si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në vendin lokal-regjional, për shkak të natyrës së saj parandaluese. Meqenëse krimet mjedisore kalojnë karakterin ndërkufitar, ekziston një nevojë e rëndësishme për një bashkëpunim të mirëfilltë midis shteteve gjatë zbatimit të ligjit penal për të luftuar në mënyrë efektive këto krime. Problemi i trajtimit të krimeve të mjedisit vazhdon të mbetet shqetësim i madh për shoqërinë, mbarë komunitetin dhe institucionet ndërkombëtare, pasi ai përbën formën më brutale dhe tronditëse të shkeljes së të drejtave të njeriut, si dhe rrezik për ekzistencën e njerëzimit”, ka thënë Sulejmani. Nëpërmjet studimit të literaturës ndërkombëtare, ai ka informuar se punimi evidenton faktin se krimet e mjedisit janë bashkudhëtarë të zhvillimit shoqërisë njerëzore nga lashtësia e deri ditët e sotme, por pasojat më evidente dhe vështirë të rikooperueshme janë pas viteve 70 ta te shekullit të kaluar, ku shtetet janë të interesuara për një rimëkëmbje si industriale po ashtu edhe infrastukturore, pa mbajtur llogarinë për pasojat të cilët ju shkaktohen mjedisit.

“Bazuar në hetimet gjatë kësaj pune, është e mundur të konkludohet se BE-ja dhe SHBA-të kanë një sistem më të zhvilluar në aspektin e bashkëpunimit në krimet mjedisore në krahasim me shembujt e tjerë ndërkombëtarë. Brenda BE-së, ekzistojnë disa direktiva ligjore që qeverisin krimet mjedisore, si dhe instrumente dhe organe të ndryshme që lehtësojnë bashkëpunimin gjyqësor në këto krime. Megjithatë, shtetet anëtare ende kanë nevojë për një harmonizim më të mirë të ligjeve dhe pranimin e parimit të “njohjes reciproke”. Sigurisht, aktet e ndryshme ndërkombëtare, si dhe iniciativat e pandalshme duke filluar nga OKB-ja dhe organizma tjerë me ndikim e përmirësojnë këtë situatë në mënyrë të konsiderueshme. Në fushën e gjyqësorit, kurrë nuk është e lehtë për ta lidhur teorinë me praktikën. Mungesa e gatishmërisë për të ndjekur penalisht krimet mjedisore dhe njohja e kufizuar e lidhur me krimet e mjedisit si krime kundër njerëzimit është akoma evidente. Ky material përpiqet të ofrojë zgjidhje për këto probleme nëpërmjet rritjes së fuqisë së Gjykatës ndërkombëtare Penale. Edhe pse hulumtimi im është vetëm një studim fillestar në një lëndë shumë të rëndësishme dhe potencialisht shumë të komplikuar për shkak të trajtimit jo të kënaqshëm kur bëhet fjalë për krimet e mjedisit, megjithatë ne kemi studiuar gjetjet tona, me qëllim që të sigurojmë një sfond të vlefshëm për punën e mëtejshme kërkimore dhe zhvillimore në këtë fushë mjaftë të ndjeshme dhe voluminoze”, ka shtuar Sulejmani.