Përfaqësuesit e sektorit civil që angazhohen për mbrojtjen e ambientit, iu bëjnë thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa urgjente për zbutjen e ndotjes alarmante të ajrit. Ata shprehen të zhgënjyer që protestat dhe thirrjet e tyre deri më tani janë shpërfillur nga organet shtetërore.

“Institucionet që kur protestuam u mbyllën, dhe vendosëm që në vend të protestave të shkojmë në rrugë institucionale. Patëm takim me secilin institucion i cili ka lidhje me ndotjen e ajrit. Mendoj se tanimë të gjithë duhet të marrim masa për zgjidhjen e këtij problemi, përfshirë këtu edhe qytetarët”, tha Nevena Smilevska, Shoqata “Eko Svest”.
Nga ana tjetër kryetarja e shoqatës “Front” thotë se komunat nuk posedojnë dokumentet e duhura ligjore për implementimin e masave të caktuara të cilat do të ndikonin në zvogëlimin e nivelit të ndotjes, dhe se të njejtat as edhe janë të interesuara për tejkalimin e këtij problemi.

“Ende mungojnë planet aksionare për çdo komunë, atyre më të ndoturave Shkupit, Tetovës. Deri më tani nuk kemi informata se është kryer kontroll nga ana e ministrisë së Ambientit, e presim atë mbikëqyrje që të rezultojë me zbatimin e atij plani me masa të caktuara”, u shpreh Aleksandra Bujaroska, shoqata “Front 21/42”.

Nga “Front” apeluan deri te të gjitha komunat të cilat përballen me këtë problem, t’i ndërmarrin hapat e duhur që të mund të fillojnë me zbatimin e aktiviteteve për zvogëlimin e ndotjes. Ndryshe, stacionet matëse të ministrisë së Ambientit gjatë ditës së djeshme regjistruan nivel alarmant të ndotjes së ajrit. Rajoni iI Shkupit, Kërcova,Manastiri dhe Tetova janë vendet të cilat për javë radhazi kanë kryesuar me ndotje mbi normat e lejuara. Stacionet matëse të ministrisë së Ambientit për ditën e sotme tregojnë nivel më të ulur të ndotjes krahasuar me ditët e kaluara.