Ministri i ekologjisë Nurhan Izairi ka refuzuar të komentojë kërkesën e organizatave joqeveritare, për publikimin e emrave të Ministrave të cilët janë kundër vendimit për mbylljen e Jugokromit. Ai madje duke harruar se vet është pjesë e Qeverisë, ka kërkuar prej OJQ-ve që, këtë kërkesë t`ia drejtojnë Qeverisë.

“Shpresoj se për këtë çështje për të marrë informata më të thukëta, mirë është t`i drejtoheni Qeverisë sepse Qeveria numëron një numër të caktuar të ministrave dhe të merrni edhe një prononcim prej tyre për këtë çështje”, deklaroi Nurhan Izairi, Ministër i ekologjisë.

Ju jeni pjesë e Qeverisë?

“Unë jam pjesë e Qeverisë dhe e kam përmend përherë dhe do vazhdoj të kërkoj që të kem një përkrahje gjithëpërfshirëse sa i përket zgjidhjes së këtij problemi”, u përgjigj Ministri Izairi.

Ndryshe, kërkesën për publikimin e emrave të Ministrave nga Izairi, e bënë dy organizatat jo qeveritare që luftojnë ndotjen e ajrit, “Nëna dhe Fëmija” dhe “EcoGuerilla”, me qëllim të adresimit të kritike në vendin e duhur.

“Vet fakti që Ministri i ekologjisë kërkon që ta ndaj përgjegjësinë me dikë tjetër flet që ekziston një problem serioz dhe ata janë të vetëdijshëm për këtë. Mirëpo të akuzosh një qeveri në të cilën t’i vet merr pjesë është pak e çuditshme. Për të besuar në sinqeritetin e ministrit ai duhet të del me këtë deklaratë por pak më konkretisht ti tregojë me emër e mbiemër se cilët janë ata ministra që pengojnë zgjidhjen e këtij problemi që të dimë edhe ne dhe të bëjmë shtypje në ato vende ku ka nevojë”, tha Elmedina Abdullai nga Organizata “Nëna dhe Fëmija”.

Ndërkohë, derisa Ministrat vazhdojnë përplasjen me njëri tjetrin mbi atë se kush i ka fajet për helmimin e tetovarëve, kombinati i cili sipas disa të dhënave ndot me rreth 41 për qind, vazhdon edhe më tej të lëshojë shtëllungat e tymit nga gjysma e kapacitetit të tij, ndërsa për në fund të muajit sipas informatat nga organizatat jo qeveritare, i njëjti pritet të vazhdojë punën me kapacitet të plotë. Alsat-M