Vetëm një ditë pasi nisi programin e ri në Top Channel “Pa limit”, Luana Vjollca ka vendosur të sjellë risi edhe në look-un e saj, madje rrënjësisht. Pasi e gjeti veten për shumë vite te biondja platin, Luana nuk eksperimentoi më me ngjyrën e flokëve, aq sa të gjithë pothuajse i kishin harruar vitet kur moderatorja bukuroshe ishte një brune me tipare të theksuara. Madje ngjyra e flokëve e dallonte edhe nga e motra, Marina – besnike e biondes.

Megjithatë, Luana ka vendosur t’i rikthehet ngjyrës së saj origjinale. Të paktën kështu ka treguar sot nga një foto që ka postuar në Insta Story. Nuk dihet nëse po eksperiemnton dhe provon me flokët e zinj, por me siguri është një guxim tjetër i Luanës për të tërhequr vëmendjen. Ta provojë veten si brune, tashmë nuk është më test për Luanën, sepse e di që edhe këtë pjesë e ka armë të fortë.