Në kovid qendrën pranë Spitalit të përgjithshëm me veprimtari të zgjeruar në Dibër, pas saktë 50 ditëve, është hospitalizuar një pacient i infektuar me Kovid-19, konfirmoi Baki Alili, drejtor i spitalit.

“Bëhet fjalë për rastin e vetëm aktiv në zonën tonë. Pacienti është nga Dibra dhe është me formë më të lehtë të sëmundjes. Pacientin e fundit me kovid e regjistruam me datën 8 të muajit të kaluar. Këtë muaj kemi vetëm dy raste të reja, njëri prej të cilëve tashmë është në listën e të shëruarve”, tha Alili.

Në qendër, sipas tij, vazhdon prania 24 orëshe e mjekëve dhe dy infermiereve, e cila nuk është ndërprerë edhe në periudhën kur nuk kishte të hospitalizuar.

“Në ndërkohë, në pikën e vaksinimit, e cila funksionon në spitalin modular, në rrethin e spitalit tonë, imunizimi kundër Kovid-19 po shkon pa probleme. Ka një interesim të shtuar për dozën e tretë, të cilën deri më tani e kanë marrë rreth 300 persona nga komuna e Dibrës dhe Qendër Zhupë, të cilët janë të mbuluar me kujdes shëndetësor nga spitali ynë”, thekson ai.