Ish-ambasadori shqiptar në Maqedoni, sot drejtor i Qendrës për Qeverisje të Mirë: “Jo çdo krizë e rëndë politike apo institucionale, duhet patjetër të lidhet me skenarë dhe mjete destabilizuese”

“Kriza politike në Maqedoni mund të zgjasë. Madje edhe mund të agravohet. Por nuk besoj se do të shndërrohet në konflikt ndëretnik”. Ky është parashikimi që ish-ambasadori shqiptar në Maqedoni, Arben Çejku, jep në lidhje me zhvillimet e fundit në shtetin fqinj, në një intervistë të posaçme për “Albanian Free Press”. Si një njohës i mirë i çështjeve të rajonit, ai shton në këtë kuadër se palët me siguro që do të gjejnë zgjidhje përmes një qeverie me bazë të gjerë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare e ato lokale (të parashikuara për në muajin prill) diku në fund të shtatorit. “Çdo krizë që zgjidhet përmes votës, ka më shumë bazë dhe jetëgjatësi, sesa çdo lloj zgjidhjeje që diktohet me dhunë. Ndëshkimet mund të jenë për politikanët, por jo për vendet dhe popujt e tyre”, pohon Çejku…

Z.Çejku, çfarë ndodhi realisht në Maqedoni? Si paraqitet në optiken tuaj vendimi i Ivanovit?

Arsyeja kryesore, që e ka shtyrë Presidentin Ivanov që të luajë me dy standarde dhe t’i refuzojë mandatin Zaevit për formimin e qeverisë së re, është thellësisht politike dhe partiake. Argumentimi i tij (nëse do të kishte arsye) duhej të mbështetej thjesht në Kushtetutën e vendit dhe jo të anatemonte si rrezik për vendin ofertën politike të partive shqiptare. Justifikimi i tij ishte një goditje e dyfishtë për stabilitetin e vendit. E para riktheu kaosin institucional për qeverisjen e vendit dhe e dyta, u hodhi benzinë marrëdhënieve delikate ndëretnike. Ai erdhi në krye të shtetit si një partiak i bindur i VMRO-DPMNE-së dhe nuk mund të sillej ndryshe. Për të ka mbetur i pakapërcyeshëm politikisht dhe emocionalisht fakti që në garën e tij për mandatin e dytë, shqiptarët nuk e votuan, por e refuzuan. Qëndrimi i dyfishtë i BDI-së, e cila pati deklaruar mosnjohjen e tij si president dhe më tej bashkëpunimi me të për zgjidhjen e krizës, mori një goditje shembullore. Unë mendoj se nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, opozita dhe shqiptarët, duhet të kërkojnë po ashtu zgjedhje për një president të ri. Nuk është hera e parë që Ivanov dëmton vendin me qëndrimet e tij politike.

Shumë analiste nxituan të thonë se pas gjithë kësaj fshihet një skenar i përgatitur për të destabilizuar vendin fqinj dhe jo vetëm. A shihni ju pas gjithë kësaj një të tillë? Kujt do t’i interesonte kjo sipas jush?

Unë sapo ua thashë se qëndrimi i presidentit Ivanov dhe gjithë beteja për qeverinë e re zhvillohet brenda kornizës së interesave politike e partiake. Lufta e deklaratave politike dhe gjithë kori që e ka shoqëruar atë, qoftë në Maqedoni, qoftë në Shqipëri, më duket e përkohshme dhe sigurisht e panevojshme. Një kolor i tillë komentesh apo “parashikimesh” është vërejtur edhe në ngjarjet e Kumanovës. Unë besoj se nuk ka ndonjë skenar destabilizimi për Maqedoninë. Por lufta e brendshme për pushtet, në fakt, e ka lodhur shumë Maqedoninë, e cila duhet të dalë sa më parë nga ky ngërç. Jo çdo krizë e rëndë politike apo institucionale, duhet patjetër të lidhet me skenarë dhe mjete destabilizuese. Maqedonia i ka të gjitha potencialet për ta tejkaluar edhe këtë krizë dhe unë besoj se në një formë ose tjetër, vendi do t’i rikthehet stabilitetit institucional.

Intervista/ ÇEJKU: Kriza në Maqedoni nuk do shndërrohet në konflikt ndëretnik

A mendoni se faktori shqiptar ne Maqedoni dhe elita e tij përfaqësuese ka bërë mjaftueshëm për të forcuar pozitat e tij dhe për t’iu imponuar kastës maqedonase në këto vite? A do të kishim tani një realitet tjetër nëse ai do t’i kishte shfrytëzuar më mirë shanset që ka patur për bashkëqeverisje?

Unë besoj se faktori shqiptar në Maqedoni ka luajtur një rol të rëndësishëm në stabilitetin e vendit dhe ruajtjen e ambicieve të Maqedonisë për integrim në NATO dhe BE. Por nga ana tjetër, lidershipi shqiptar ka mundur të bëjë shumë më tepër përsa u përket problemeve të përditshmërisë dhe standartit të jetesës dhe nivelit të përfaqësimit. Përfshirja e shumë zyrtarëve të lartë shqiptarë në korrupsion dhe afera të ndryshme, ka minimizuar gjithnjë e më shumë forcën e tyre të negociimit, kur ka qenë fjala për shpërndarjen e drejtë të buxhetit, për thithjen e investimeve të huaja dhe përfshirjen cilësore në administratën shtetërore. Punësimet partiake dhe njëanshmëria politike, ka ndikuar që shumë ekspertë të mirë të largohen nga vendi. Në shumë raste, përfaqësuesit shqiptar në institucionet e shtetit, nuk kanë qenë të përgjegjshëm për rëndësinë e këtij përfaqësimi, por kanë rënë në rutinën e përfitimeve personale e partiake, duke dëmtuar rëndë interesat e shqiptarëve. Kjo u reflektua edhe në votën, që shumë shqiptarë ia deleguan një partie maqedone si LSDM. Kjo votë duhet të shërbejë si leksion për çdo parti shqiptare në Maqedoni.

Si do ta gjykonit \’strehën\’ e Tiranës zyrtare krijuar për shqiptarët e Maqedonisë dhe platformën e krijuar së bashku? Mendoni se ka vend për një \’zemëratë\’ legjitime te maqedonasve rreth kësaj? A do kishin rrjedhur ndryshe ujërat nëse politika e Tiranës nuk do ishte vetë-ofruar për t\’i ndihmuar ata në këtë moment krize?

E ashtuquajtura “Platformë” e partive shqiptare të Maqedonisë, mund ta kishte marrë kontributin teknik të Tiranës apo Prishtinës, pa patur nevojë për një sjellje atipike institucionale. Ne, edhe në raste të mëhershme kemi punuar me faktorin shqiptar, por jo çdo gjë është bërë publike dhe nuk ka qenë qëllimi që publiku të ushtrojë presion tek institucionet maqedonase. Mbështetja e faktorit shqiptar dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të Maqedonisë, është një ushtrim jo i lehtë, ndaj duhej shumë më tepër kujdes nga Tirana dhe Prishtina në menaxhimin e kësaj “Platforme”. Edhe në vendimmarrjen e Ivanov, ndoshta ishte forma më shumë sesa përmbajtja e Platformës, ajo që e shtyri atë të justifikojë vendimin e tij duke bërë edhe një gabim të radhës, sigurisht.

Kërkesat e shqiptarëve janë të drejta dhe ato, në tërësinë e tyre janë në Marrëveshjen e Ohrit dhe unë, personalisht jam habitur sesi BDI, një mbrojtëse e zjarrtë e kësaj Marrëveshjeje të nënshkruar nën garancitë e ndërkombëtarëve në 2001, riformuloi një Marrëveshje të re, në kushtet e një lufte të brendshme politike për pushtet. Përpjekjet për të treguar me të gjitha format se kryeqyteti politik i shqiptarëve të Maqedonisë është Tirana dhe po ashtu Prishtina, më janë dukur të tepruara dhe jashtë realitetit. Për mua, kryeqyteti politik i shqiptarëve të Maqedonisë është Shkupi dhe ata, mund të konsultohen si vëllezër me çdo shqiptar në Shqipëri, në Kosovë apo kudo gjetkë. Parimisht mendoj se ata duhet të ndihmohen sa herë të kenë nevojë, por jo të keqpërdoret halli i tyre për interesa të brendshme dhe të ngushta politike, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë. Çdo përfshirje duhet të ketë sensin e masës, në përputhje me detyrimet tona kushtetuese, por edhe në përmbushje të detyrimeve tona ndërkombëtare.

Çfarë parashikoni për rrjedhën e mëtejshme të ngjarjeve? Ekziston mundësia për destabilizim te Maqedonisë? A do t\’i tronditë ajo ekuilibrat ekzistues ne Ballkan? Dhe cfarë pasojash konkrete mund të krijojë.

E thashë edhe më parë se nuk parashikoj ndonjë destabilizim të rajonit dhe tashmë e dimë të gjithë edhe qasjen përfundimtare të Presidentit Trump, i cili para disa ditësh, në fjalimin e tij para Kongresit, bëri të qartë se për SHBA-të është shumë i rëndësishëm stabiliteti dhe paqja në botë dhe sidomos tek vendet partnere. Për SHBA-të, si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia janë vende mike dhe nuk do lejohet asnjë lloj trazire dhe konflikti vetëm se disa persona duan më shumë pushtet apo disa të tjerë nuk duan të pranojnë votën e lirë. Ndëshkimet mund të jenë për politikanët, por jo për vendet dhe popujt e tyre. Kriza politike në Maqedoni mund të zgjasë. Madje edhe mund të agravohet. Por nuk besoj se kjo krizë do të shndërrohet në konflikt ndëretnik. Palët do të gjejnë zgjidhje përmes një qeverie me bazë të gjerë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare  e ato lokale (të parashikuara për në muajin prill) diku në fund të shtatorit. Çdo krizë që zgjidhet përmes votës, ka më shumë bazë dhe jetëgjatësi, sesa çdo lloj zgjidhjeje që diktohet me dhunë.

Qëndrimi ndërkombëtar ka qenë i ndarë në lidhje me Maqedoninë. Si do t\’i gjykonit ju në veçanti atë rus dhe atë perëndimor? A kemi të bëjmë realisht me premisën \’zona influence\’ siç edhe është komentuar?

Rusia prej kohësh kërkon të ketë influencë në Ballkan, jo se ka interesa konkrete në këtë rajon. Rusia e di fare mirë që ky rajon tashmë i përket hartës së sigurisë (NATO-BE-SHBA), por duke ushtruar sadopak ndikim në disa nga vendet e Ballkanit, kërkon të marrë si kompensim heshtjen e perëndimit për veprimet e saj në zonat e ish-Bashkimit Sovjetik. Atje janë interesat reale të Moskës. Ballafaqimet e herëpashershme, apo gjoja kërcënimet për rrezikun e ndikimit rus në Ballkan, bëhen thjesht, pra për të marrë si kompensim nga perëndimi një miniaprovim për raste si Krimea, apo problemet që janë sot në Ukrahinë e gjetkë në brezin e interesave reale ruse. Ata që bashkëpunojnë dhe promovojnë interesat ruse në rajonin tonë janë miopë dhe interesaxhinj të momentit. Mendjet e shëndosha e dinë që zonat e interesat ruse janë diku gjetkë, më në lindje. Natyrisht, shqiptarët së paku, kanë qëndrim absolut pro-amerikan dhe të tillë do të mbeten. Kush flirton me platformat ruse në rajon, thjeshtë vonon integrimin dhe prosperimin e vendit të tij…

Si një njohës i mirë dhe i çështjeve të Kosovës, një komenti juaj mbi situatën aktuale te zhvillimeve atje. Çfarë po ndikon sipas jush në vazhdimësinë e krizës politike?

Në Kosovë ka një seri elementësh që ushqejnë herë pas here krizën në vend. Personalisht mendoj se nga bisedimet me Beogradin, Kosova ka përfituar fare pak ose aspak. Brukseli nuk është treguar serioz dhe mjaftueshmërisht mbështetës për Kosovën, e cila sot është vendi më i izoluar. Por ky do të jetë një vit shumë i vështirë për vendin dhe uroj që Kosova të ketë mjaftueshmërisht kapacitete menaxhimi të krizës që do të thellohet. Rasti i mbajtjes peng në Francë të ish-kryeministrit Haradinaj, është një simbolikë domethënëse për sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe fuqinë e prapavijave serbe, të cilat shpesh arrijnë të dirigjojnë kriza brenda në Kosovë. Mendoj se Kosova duhet të rinovojë parlamentin e saj dhe qeverinë përmes një procesi të ri zgjedhor, me qëllim që të dilet nga ky ngërç ku është aktualisht.

Në fund, cfarë paraqet sipas jush trekëndëshi Tiranë-Shkup-Prishtine për Ballkanin si të tillë? A po përben ai një rol të shtuar të faktorit shqiptar në të dhe pse nga disa vende gjykohet si i tepruar, deri edhe si kërcënim, për të arritur në terma të tilla si \’Shqipëria e Madhe\’. Cili mendoni se do të ishte sipas jush në fakt roli i vërtetë, veprimet konkrete dhe qasja që ai duhej të kishte në Ballkan e më gjerë?

Trekëndëshi politik shqiptar Tiranë-Prishtinë- Shkup, është një bekim për Ballkanin Perëndimor, i cili gjithnjë ka përfituar prej këtij relacioni. Kombin tonë e mallkoi historia e vjetër, por na ka bekuar historia e re dhe e ardhmja! Ju e dini se nuk janë shqiptarët ata që ia caktuan kufijtë vetes së tyre. As ndarjen nëpër disa shtete nuk e bënë shqiptarët me vullnetin e tyre. Të gjithën na e ka diktuar historia e shekullit të kaluar dhe ndoshta edhe fundshekulli nëntëmbëdhjetë. Për të gjithë është fakt se kombi shqiptar është i ndarë në disa shtete dhe ne kemi pranuar tashmë realitetet që solli me vete shekulli i ri; shtetin e Maqedonisë me shqiptarët faktor shtetformues, shtetin e ri të Kosovës, Malin e Zi dhe Serbinë, me shqiptarët etnikë që jetojnë në këto vende si element të rëndësishëm për paqen në rajon. Nëse u referohemi politikanëve dhe historianëve serbë, grekë etj, në fillim-shekullin e XX, edhe këtë Shqipëri që e kemi tani, ata nuk e donin dhe ju dukej shumë e madhe. Ka patur platforma dhe strategji për të mos lejuar shtet shqiptar. Ne e dimë tashmë edhe nga historia se ishte Presidenti Uillson ai që ndali trravrapin e shovinistëve ballkanikë dhe u bë mburojë e shtetit të ri shqiptar. Ndaj dhe i jemi përjetë mirënjohës atij si Shqipëri dhe shqiptarë. E kamë thënë dhe e përsëris, shqiptarët kanë një rol për të luajtur në Ballkan dhe këtë rol atyre ua ka diktuar historia dhe unë besoj se shqiptarët janë dhe do të mbeten çelësi i paqes dhe stabilitetit në këtë pjesë të Europës. Xhelozitë dhe miopitë e pseudo-historianëve dhe shovinistëve atavikë, që e shohin faktorin shqiptar si rrezik, nuk duhen marrë në konsideratë dhe ne duhet të shohim përpara si popull europianist dhe nga më të vjetrit në këto troje./Albanian Free Press/