Në gjithë Kosovën shkruhen grafite "Drejtësi për Astritin"

Në mbi 30 komuna të Kosovës, sot Lëvizja Vetëvendosje, zhvilloi aktivitet simbolik, ku u realizuan grafite me fotografinë e Astrit Deharit dhe parullën “Drejtësi për Astritin”, i cili vdiq në burg para 10 ditëve.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari mbahej padrejtësisht në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, me akuza të montuara për terrorizëm, kurse vdiq me 5 nëntor, për çfarë u dhanë vetëm deklarata kontradiktore e kurrfarë përgjegjësie nga institucionet e shtetit.

“Teksa nga njëra anë qartazi është vërejtur tentimi i pushtetit që vdekja e aktivistit Dehari të mbulohet me deklarata të rreme ose të kalojë në heshtje, qytetarët në vazhdimësi kërkojnë zbardhjen e këtij rasti dhe vendosje të drejtësisë”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Lëvizja Vetëvendosje qëndron fuqishëm prapa kërkesës për hetim të rastit nga hetuesit e pavarur të caktuar nga familja, duke pasur parasysh kapjen e institucioneve të drejtësisë nga klani “Pronto”, gjë që pamundëson hetim dhe vendim të drejtë. Thirrja për zbardhjen e këtij rasti përmes aktivitete të ndryshme do të vazhdojë. Përpjekja për institucione të pavarura të drejtësisë nuk do të ndalet në asnjë moment. Vetëm shteti i së drejtës është garanca e një shteti zhvillimor dhe të barabartë për të gjithë.