Është konstatuar se 286 automjete kanë qenë teknikisht të parregullta, kryesisht parregullsi në frena

Gjatë vitit të kaluar, respektivisht në vitin 2020, janë regjistruar rreth gjashtëmijë shkelje trafiku më pak në rajonin më të gjerë të Gostivarit. Shifrat e policisë tregojnë se nëse në vitin 2019 ka patur mbi nëntëmijë shkelje në komunikacion në këtë rajon, vitin e kaluar janë regjistruar mbi tremijë kundërvajtje nga ana e vozitësve. “Zyrtarët policorë të Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë -Departamenti i Sigurisë së Qarkullimit Rrugor në Gostivar gjatë vitit të kaluar, në zonën e gjerë të Gostivarit, kanë zbuluar dhe sanksionuar ligjërisht 3522 lloje të ndryshme të parregullsive të trafikut, gjegjësisht shkelje ose gati 6000 më pak krahasuar me vitin paraprak 2019” njofton Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Si në rajonet tjera, po ashtu edhe në rajonin e Gostivarit ende ka vozitës të cilët dalin me automjete të paregjistruara. Nuk kanë munguar edhe automjetet të cilët kanë probleme teknike të ndryshme. “Duke vepruar në përputhje me Ligjin për Sigurinë e Trafikut Rrugor dhe Ligjin për Automjetet, për shkak të parregullsive të identifikuara, përkatësisht shkeljeve të trafikut, nga trafiku janë përjashtuar 706 automjete. Shumica e automjeteve të përjashtuara, gjegjësisht 405 automjete, kanë qenë me regjistrim të skaduar deri më 30 ditë, është konstatuar se 286 automjete kanë qenë teknikisht të parregullta, kryesisht parregullsi në frena, 12 automjete kanë qenë me ngarkesë të pasigurt dhe në 3 automjete kanë qenë me mbingarkesë” thekson zëdhënësi Rexhepi.

Dukuri tjetër që e karakterizon rajonin e Gostivarit në aspektin e sjelljeve devijuese të vozitësve është edhe drejtimi i makinave pa patentë shoferi. “Vitin e kaluar, gjithashtu edhe 663 shoferë janë përjashtuar nga trafiku, prej të cilëve 485 vozitës të cilët kanë vozitur pa patentë shofer, 16 vozitës kanë qenë me kategori të papërshtatshme në patentë shofer, 8 kanë drejtuar gjatë masës mbrojtëse në kohë pandemie “ndalesë“ , 78 shoferë fillestarë, 52 që vozisnin nën ndikimin e alkoolit dhe 24 të cilët nuk kanë përdorë helmetë mbrojtëse në kokë” thekson Rexhepi.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se shkeljet e zbuluara të trafikut në vitin e kaluar janë sanksionuar me parashtresa adekuate. Nga ky sektor njoftojnë se përkohësisht janë revokuar 133 patentë shoferi dhe 39 persona pjesëmarrës në trafik kanë qenë të thirrur në orë të organizuara për edukim në trafik. (koha.mk)