Prindër të nxënësve të shkollës fillore “Goce Dellçev” në Gostivar alarmuan për përhapjen e sëmundjes “parazitët e zorrëve”. Ata për Tv21 theksuan se janë njoftuar për raste të infektimit të disa nxënësve. Shqetësimet tek ta janë rritur kur nga çdo nxënës është kërkuar që të kryejnë kontrolle mjekësore, se a janë të prekur nga kjo sëmundje.

Jemi pranë shkollës fillore Goce Dellçev në qytetin e Gostivarit, disa prindër që fëmijët e tyre mësojnë në këtë shkollë janë ankuar se po përhapet një sëmundje e cila quhet “sëmundja parazitët në zorrë” apo “krimbat e zorrëve”, mirëpo për ta vërtetuar këtë gjë ne udhëtuam deri në Spitalin e qytetit të Gostivarit.

Drejtori i kësaj shkolle, Sasho Sarevski në përgjigjen telefonike për TV21 pranoi se ka pasur raste të të infektuarëve.

“Kuptova se ka pasur 2 raste, ku 2 fëmijë kanë sëmundje të parazitëve në zorrë. Menjëherë pas kësaj janë marrë masa preventive që të shohim se si është situata. Kërkova angazhim nga kujdestarët e klasave. Dhe kemi kërkuar nga kujdestaret e klasave që të mbajnë mbledhje prindërore dhe nga ato të bëhet kontrolli i sëmundjes së parazitëve”, tha ai.

Nga Spitali i këtij qyteti thonë se situata nuk është aq alarmante, dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat.

 

“Deri tash sa jam unë mjek kujdestar kam pasur dy raste, që vijnë me dhimbje barku, po është normale edhe në këtë kohë pak më tepër paraqiten. Mirëpo është normale, nuk kemi pasur diçka epidemi dhe nuk ka rrezik për jetën as për shëndetin. Kjo ndodhë tek fëmijët, higjiena personale, jo e larja e duarve në rregull. Kjo sëmundje që mos të përhapet duhet higjiena personale zakonisht larja e duarve shpesh me ujë të rrjedhshëm dhe kjo është pika e parë”, tha mjeku kujdestar në Gostivar, Lirim Beqiri.

Nga kjo shkollë deri tani kontrolle mjekësore kanë kryer 160 nxënës dhe se nga ky numër nuk ka asnjë rast me simptoma të kësaj sëmundje. Mjekët e spitalit të Gostivarit theksojnë se parazitët në zorrë është sëmundje jovdekjeprurëse, që shkaktohet nga mungesa e higjienës. Ata apelojnë që nxënësit sa më tepër të mbajnë pastërti. /Telegrafi/