MPB ka demantuar lajmet se në Haraçinë janë sulmuar dhe kërcënuar zyrtarë të policisë, përcjell TV21. MPB thotë se tre policët e përfshirë në rast kanë mohuar se kanë qenë të sulmuar apo të kërcënuar.

“Nga kontrollet e kryera rezultoi se më datë 30.11.2022 tre punonjës policie kanë ndaluar një automjet tip “Volkswagen”, i drejtuar nga një i mitur, por nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme zyrtare, për çka ndaj tyre janë ngritur nisma për procedim disiplinor, ndërsa në intervistat zyrtare të kryera, tre punonjësit e policisë mohojnë se dikush i ka kërcënuar apo ka ushtruar presion ndaj tyre”, thonë nga MPB.

Për rastin në fjalë MPB thotë se në prani të prindit është zhvilluar bisedë me vozitësin e automjetit, një 17-vjeçar nga Saraji, ndërsa ndaj tij dhe babait të tij do të shqiptohen masa për kundërvajtje.

“Lidhur me rastin, në departamentin policor të Haraçinës së bashku me prindërit e tij është thirrur një i mitur i moshës 17 vjeçare, të dy nga fshati Saraj, nën dyshimin se kanë kryer kundërvajtje nga neni 225 nga Ligji për siguri në komunikacionin rrugor dhe në bisedë zyrtare, i mituri ka shpjeguar veprën e kryer. Kundër të miturit është parashtruar kërkesë për konstatimin e kundërvajtjes së drejtimit të mjetit motorik pa patentë shofer, ndërsa ndaj prindërve është parashtruar kërkesë për kundërvajtje të bërë nga neni 317 paragrafi 14 i të njëjtit ligj, për lejimin e të miturit për të drejtuar automjetin, pa patentë”, thonë nga MPB./tv21.tv