Flonja Haxhaj

Filmi ‘Në kërkim të Venerës’ mbylli natën e fundit të Festivalit PriFest. Entuziazmi i publikut për ta parë këtë film vërehej në sallën e Teatrit Kombëtar, e cila u mbush plot. Kërkesa e madhe për ta parë filmin bëri që organizatorët të vendosin një projektor edhe jashtë që filmi të shfaqej në dy vende.

Pas suksesit të madh ndërkombëtar, filmi i metrazhit të gjatë ‘Në kërkim të Venerës’ me regji të regjisores kosovare, Norika Sefa dhe producent, Besnik Krapi, u soll edhe për publikun e djeshëm në PriFest.

Regjisorja Sefa përmes këtij filmi, sjell historinë e Venerës, botën e saj të jetuar në një shtëpi diku në një fshat të Kosovës. Jetesa mes patriarkatit dhe hierarkisë se moshave në një shtëpi ku jetojnë tre gjenerata kanë bërë që Venera të mos dijë të ëndërrojë e dëshirojë përtej asaj që ia kanë servuar prindërit.

Rrjedha e jetës së kësaj vajze të brishtë e naive ndryshon pasi ajo fillon të shoqërohet me Dorinën një vajzë mendjehapur, shoqërimi me të cilën do të bëjë Venerën të fillojë të kërkojë diçka tjetër nga vetja, të shohë një Venerë tjetër jashtë mureve të shtëpisë.

Përgjatë filmit, dy shoqet paraqiten duke shkuar në një klasë mësimi të gjuhës angleze tek shtëpia e një mësuese lokale. E në rrugët vajtje-ardhje që ato bënin, Dorina i tregon Venerës për djalin me të cilin kryen marrdhënie seksuale nëpër vende të fshehta, e kështu Venera bëhet kuroioze për ta provuar vetë me një djalë.

E karakteret e tjera përveç Venerës e Dorinës e plotësojnë edhe më shumë këtë film dhe e bëjnë më të besueshëm duke e ndërlidhur me realitetin e shoqërisë sonë.

Ky film u mirëprit shumë nga publiku i PriFest, e kjo u vërejt në duartrokitjet që zgjatën disa minuta paspërfundimit të filmit.

E pas përfundimit të filmit, regjisorja flet e emocionuar që ky projekt i saj u paraqit për publikun kosovar.

“Jam shume e emocionuar, faleminderit shume qe jeni prezentë këtu, është një moment special si per mua ashtu edhe per krejt ekipin, e kemi dëgjuar dhe e kemi parë disa herë filmin në audiencë të huaj dhe më është dukur pak e çuditshme por sonte ishte një ndjenjë komplet ndryshe. Uroj që filmi ju la diçka dhe ajo diçka do të zgjasë shumë.”- tha regjisorja Sefa

Ndërkaq në konferencën që u mbajt sot në Prishtinë, ajo tha se qëllimi i saj si regjisore në këtë film ka qenë t’i përshkruajë ato çaste të vogla të jetës , të cilat kur vijnë të papërgatitura duken shumë më të mëdha dhe shumë më absurde.

“Sa i përket gjeneratave dhe ndeshjes është shumë evidente, ndoshta asnjëherë nuk shpërthen, e kjo është më e keqja prandaj edhe filmi ka një tempo të tillë sepse jemi munduar t’i durojmë disa gjëra duke u bërë shkak traditave, hierarkisë familjare ose moralit, e të cilat janë gjera shumë personale e energji që duhet të shpërthejnë. E Venera ka gjet vendin e saj në atë që i takon, pa dashur t’i ndryshojë të tjerët”- u shpreh më tutje regjisorja.

Tutje, Norika Sefa flet edhe për karakteret e tjera në film, e të cilët ajo i cilëson si karaktere jo negative por që kanë të metat e tyre.

E producenti Besnik Krapi thotë se filmi është nisur nga problemet e ndrydhura të shoqërisë sonë që nuk kemi kohë ose nuk duam të gjejmë kohë t’i nxjerrim jashtë si Venera.

‘Kjo shoqëri ka shumë problem me këtë aspekt, ta gjejë veten aty ku i takon e Venera është veç një pikënisje edhe pse duhet akoma të punojnë njerëzit për këtë çështje’, u shpreh Krapi.

Ndërsa aktorja, Kosovare Krasniqi vlerëson që ngjarjet që u paraqitën në film, janë ngjarje në të cilat kalon çdo i ri në Kosovë dhe çdokush mund ta gjejë veten në rrëfimin e Venerës apo në secilin personazh të filmit.

‘Në kërkim të Venerës’ së shpejti do të jetë premierë në Lisbonë, kurse sonte do të jetë premierë në Rusi.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Monolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. Me drejtor të fotografisë – Luis Armando Arteaga, montazhë – Stefan Stabenoë, skenografi – Arben Shala, zërim – Risto Alchinov, kostumografi – Desantila Lika, dhe grim – Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut me producent Besnik Krapin i prodhuar nga Circle Pruduction dhe me bashkëproducent Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën./KultPlus.com