Rotacione të drejtorëve nga një agjenci shtetërore ose byro, drejtorë të përhershëm që kanë qenë të emëruar edhe në disa kompani, anëtarë partie që kanë lëvizur në disa pozicione etj. Kështu duket eshaloni i tretë në Maqedoninë Veriut, drejtorët e të cilit i propozon Qeveria.

Këto ditë, në mbledhje të Qeverisë, drejtorët shkarkohen, pranohen dorëheqjet, që në mbledhjen e ardhshme, njëri nga ata drejtorë të shkarkuar të ulet në karrigen e një drejtori tjetër. Sanja Lukarevska dha dorëheqjen nga pozita e drejtorit në Drejtorin e të Ardhurave Publike (DAP) për t’u bërë deputete, pastaj dha dorëheqjen nga pozita e deputetit për t’u kthyer përsëri në DAP, si ushtrues detyre. Deputeti Bajram Rexhepi nga BDI dha dorëheqje nga pozita e deputetit, pas së cilës ai u zgjodh anëtar i Bordit të Drejtorëve të Shoqërisë Aksionare të Energjisë, “Burimet Nacionale të Energjetike”- Shkup, në pronësi të shtetit. Ndërsa, para se të bëhej deputet, ai ishte Drejtor i “Burimeve Nacionale Energjetike.

Biljana Jovanovska dha dorëheqjen nga pozita e drejtorit të Agjencisë së Punësimit, ndërsa menjëherë pas dorëheqjes në mbledhjen e parë të Qeverisë ajo u emërua drejtor i Fondit të Sigurimeve Pensionale. Borçe Haxhiev nga drejtori i Fondit të Sigurimit të Depozitave do të jetë drejtori i Byrosë së Prokurimit Publik. Drejtori i deritanishëm i Postave të Maqedonisë, Ejup Rustemi, do të jetë drejtori i Ndërmarrjes Shtetërore “Rrugët e Maqedonisë”. Andrej Zhernovski ishte deputet, më pas kryetar i Komunës së Qendrës, pas përfundimit të mandatit ai mbajti pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, dhe tani ai emërohet si drejtor. Ndërsa Jani Makraduli, i cili ishte gjithashtu ishte deputet dhe zëvendësministër i Mjedisit, pritet të emërohet në krye të Postave të Maqedonisë. Edhe zyrtarë të deridjeshëm të BDI-së, sërish gjenden në detyra të reja, ndërsa shumë pak figura të reja janë gjendur në borde drejtuese, apo edhe drejtues.

Analisti politik, Selim Ibraimi thotë se përkatësia partiake në Maqedoni është më e rëndësishme se kualiteti i kuadrit të propozuar. “Sigurisht është dhe ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë si kriter për politikën, administratën, arsimin, shëndetësinë dhe shumë fusha të tjera që partitë politike kanë ndikim dhe vendosin për punësimet duke lënë anësh kriteret profesionale. Rasti konkret është me punësimet e fundit në nivelet me të ulëta të partive dhe sidomos të partive shqiptare në qeveri, ku po vërejmë se jo të gjithë i plotësojë standardet për emërime të tilla. As këta parti dhe liderë që thonë se do të bëjnë ndryshe, nga emërimet e fundit u vërejt se nuk ndryshojnë për nga mendësia dhe nuk dallojnë nga të tjerët. Asnjë emërim nuk u bë se ai apo ajo i përket profesionit, po u morën parasysh anëtarësia, afrimi me liderin dhe natyrisht se kush e ka financuar partinë. Derisa ende kemi zotime dhe emërime të këtij niveli si rëndë do të dukemi apo jemi në BE”, deklaroi për KOHA, Ibrahimi.

Ndërkohë, ligji për nëpunës të lartë administrativë gati se një vit ka ngel i bllokuar në Parlament, sipas të cilit sekretarët e shtetit dhe disa nga drejtorët do të zgjidheshin me merita profesionale. Ligji përcakton që zgjedhja e drejtuesve të lartë administrativ të jetë më e rreptë dhe procesi të jetë më transparent. Ky ligj nuk do të zbatohet për gjyqësorin, Prokurorinë Publike, institucionet e sigurisë, mbikëqyrjen e komunikimit, inteligjencën, mbrojtjen dhe Ushtrinë, Përfaqësitë Diplomatike dhe Konsullore, komunat, Qyteti i Shkupit ose komunat në Qytetin e Shkupit dhe ndërmarrjet publike të themeluara prej tyre, institucionet dhe organet rregullatore. “Ligji i ri për nëpunës të lartë administrativ do të vendosë një procedurë liberale për emërimin në pozitat udhëheqëse, profesionalizimin e pozitave drejtuese, të ndara nga menaxhimi politik, me përgjegjësi politike”, thuhet mes tjerash në Ligjin për nëpunës të lartë administrativë. (koha.mk)