Shkruan Halim Pollozhani

Në bazë të asaj që e pashë në videon e emisionit “Fiks fare” për mua nuk ka aspak dilemë se zëvendësministri i shëndetësisë, Asim Musa, është i përfshirë në skandal korruptiv.

Mirëpo rasti i Asim Musës nuk vlen shumë vëmendje. As dorëheqja e tij nuk ndryshon asgjë. Me Asim Musën, ose pa Asim Musën, nuk ndryshon asgjë në BDI. Ai nuk ka bërë asgjë jashtë standardeve të kësaj partie. Ky është çmimi për të qenë në atë “rreth”. Shtëpi të shtrenjta e luksoze nuk ndërtohen me paratë e rrogës. As vilat bregdetare në Gjirin e Lalzit, e banesat në Sarandë e në Vlorë, nuk mund të blihen duke kursyer nga rroga. Me ato rroga nuk mund të blihet as një shtëpi e vjetër në lagjet Serovë e Dizhon, e lëre më “vikendica” të shtrenjta në “Shapkë” (siç kanë qejf ta quajnë Kodrën e Diellit), ose në Mavrovë. Duhen shumë para për të jetuar në atë luks.

Dyshimet, sipas mendimit tim, janë shumë të forta se kokat e korrupsionit vazhdojnë të mbajnë vendet kyçe në këtë parti. Bile bile, në krahasim me ta, bashkëvendësi im Asim Musa ka qenë funksionari më “modest” në ryshfet e korrupsion. A ja vlen të përmendet se sa miliona kanë fituar ministrat e ekonomisë, ekologjisë, deputetët e kryetarët e degëve të partisë? Po Ramizi me fakultete e universitete? Po Artani, Ejupi e Izeti, që shumë pak bënë për Çairin, e më shumë bënë për vete? A janë ata më të mirë?

Ja shembuj edhe më konkretë. Kryetari i partisë përmendet për ryshfet milionësh në rastin Telekom. Hetohet për rastin “Regjistrimi”. Bashkëpunëtori i tij i afërt, poashtu përmendet te afera multimilionëshe “Telekom”. Zëvendës kryeministri Bujar Osmani akuzohet poashtu për korrupsion. Posedon shtëpi të shtrenjtë në lagjen Butel, kurse shpeshherë është vërejtur duke u sjellur vërdallë (hehehe) edhe te disa parcela atraktive në rrugën Shkup-Bllacë-Prishtinë. Po Asim Musa as te thembrat nuk u vjen këtyre. Thjeshtë, Asim Musa, sipas mendimit tim, ka vepruar njëjtë sikurse që kanë vepruar tani e vite me radhë Aliu, Bujari e Musa.