Ish ministri i ekologjisë, Naser Nuredini, aktualisht deputet i zgjedhur nga lista e BDI-së, është deputeti më i pasur në përbërjen e re parlamentare. Pasuria e tij dhe prindërve të tij, peshon 1 milion e 970 mijë euro. Nga pasuria personale, ai posedon banesë në Austri me sipërfaqe prej 148 metër katrorë, që kushton një milion euro, pastaj investime në fonde në vlerë prej 140 mijë eurove dhe depozitë prej 90 mijë eurove në bankë, si dhe një kredi 12 mijë euro. Në fletën anketuese Nuredini ka përmendur edhe pasurinë e prindërve të tij që posedojnë shtëpi në fshatin Kamjan, Bogovinë dhe banesë në Tetovë, si dhe një veturë BMW X5, raporton Radio Evropa e Lirë .

E dyta në listë është deputetja e LSDM-së, Milla Carovska, e cila deri më tani ka ushtruar detyrën e zëvendës kryeministres për çështje ekonomike. Ajo është ndër të rrallat që në fletën anketuese ka përfshirë edhe pasurinë e familjes më të gjerë, respektivisht pasurinë e prindërve dhe vëllaut, me çka pasuria e përgjithshme e saj arrin vlerën 1.5 milionë euro. Menjëherë pas saj është ministri aktual i kulturës, Hysni Ismaili, i cili fitoi mandatin e deputetit në njësinë zgjedhore numër 6 nga partia Alternativa. Pasuria e tj bashkë me pasurinë e prindërve dhe bashkëshortes arrin 1.4 milionë euro.

Përveç Nuredinit dhe Carovskës edhe katër deputetë tjerë kanë paraqitur pasuri jashtë vendit. Ministri aktual i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov posedon banesë në Hagë të Holandës, si pasuri të përbashkët, ndërsa deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski në fletën anketuese ka paraqitur se fëmijët e tij posedojnë banesë në qytetin Ahme të Gjermanisë.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka paraqitur tokë bujqësore prej 700 metër katrorëve në Shqipëri, kurse Enis Ibrahim ka paraqitur se vëllai i tij posedon lokal afarist në Stamboll. Në listën e deputetëve të pasur bëjnë pjesë edhe Ismail Jajoski i BDI-së dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, të cilët kanë paraqitur pasuri në vlerë prej rreth 500 mijë eurove. Pasuri në vlerë të njëjtë më herët kanë paraqitur edhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, nënkryetarja Radmilla Shekerinska dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Nga kryetarët e tjerë të partive, Bilall Kasami ka paraqitur pasuri familjare në vlerë prej 440 mijë eurove, kryetari i Aleancës, Zijadin Sela në vlerë prej 143 mijë eurove, kurse kryetari i Alternativës, Afrim Gashi pasuri në vlerë prej 58 mijë euro.