nstituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) deklaron se ekziston rreziku i shpërthimit të vatrave të reja me Covid-19 në komunën e Prishtinës, Vushtrrisë, Prizrenit, Fushë Kosovës, Obiliqit nga mosmbajtja e distancës dhe mosmbajtja e maskave.

IKSHPK, gjithashtu u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e tyre për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”.

“Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve”.

“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thuhet në njoftim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bën të ditur se rastet pozitive janë në 9 komuna të vendit.

“Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 10 raste (sipas vendbanimit: 10 raste Prishtinë), komuna e Vushtrrisë 8 raste (sipas vendbanimit: 6 Vushtrri, 1 Akrashticë, 1 Maxhunaj), komuna e Prizrenit 7 raste (sipas vendbanimit: 4 Tupec dhe 3 Prizren), komuna Fushë Kosovë 6 raste (sipas vendbanimit: 3 Fushë Kosovë dhe 3 Miradi e Poshtme), komuna Obiliq 5 raste (sipas vendbanimit: 5 Milloshevë), dhe me nga 1 rast komuna Skenderaj (vendbanimi: 1 Likoc), komuna Gjilan (sipas vendbanimit: 1 Gjilan), komuna e Rahovecit (sipas vendbanimit: 1 Rahovec) dhe komuna e Mitrovicës (sipas vendbanimit: 1 Mitrovicë)”, thuhet në njoftim të IKSHPK-së.