VMRO-DPMNE ka akuzuar sot LSDM-në se po heshtin ndaj deklaratës së Talat Xhaferit, i cili tha se seancat në Kuvend do t’i udhëheq edhe në gjuhë shqipe. Nga kjo parti thonë se Maqedonia është viktimë e sjelljes anti-shtetërore të Zoran Zaevit.
“Krimineli Zaev dhe LSDM, përveç që i mashtruan qytetarët dhe shkelin vullnetin e tyre, shkelën edhe Kushtetutën, Rregulloren dhe ligjet, ndërsa tani heshtin dhe mbështesin provokimet me të cilat ka filluar realizimi i Deklaratës së Tiranës. LSDM hesht për vendosjen e flamurit shqiptar në Kabinetin e kryetarit të Kuvendit. Tani LSDM-ja hesht edhe ndaj deklaratave të Talat Xhaferit se do ta zyrtarizojë gjuhë shqipe në gjithë territorin”, thuhet mes tjerash në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Ndërkohë nga LSDM-ja thanë sot se në periudhën që vjen është e rëndësishme të mundësohet transferim i qetë i pushtetit dhe formimi i qeveris së re. Nga kjo parti thonë se ky është interes i lartë i qytetarëve dhe shtetit.
“Udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së në krye me Nikolla Gruevskin janë politikanë të harxhuar të cilët shqetësohen vetëm për interesat e tyre kriminele, nuk kanë çfarë t’u ofrojnë qytetarëve dhe për këtë arsye gënjejnë, përdorin manipulime, gjuhë të urrejtjes dhe nxisin dhunë. As nuk do të dëmtohet gjuha maqedonase, as nuk rrezikohet unitariteti i shtetit”, thonë nga LSDM.
Nga kjo parti thonë se çdonjëri që punon në kundërshtim me interesat shtetërore, duhet të jetë i vetëdijshëm se bën vepër penale dhe për këtë siç thonë, do të ketë përgjegjësi.