Në Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, ky fenomen vijon të mbetet një problem shqetësues në vendin tonë.

Pavarësisht apelit dhe sensibilizimit publik, në Shqipëri çdo ditë dhunohen të paktën 10 persona gra dhe vajza.

Shifrat bëhen publike nga sektori i dhunës në familje në policinë e shtetit, sipas të cilit, çdo ditë rreth 10 gra dhe vajza denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre.

Këto shifra janë vetëm të këtij viti, ndërsa që nga janari dhe deri në nëntor në të gjithë vendin kanë denoncuar dhunën dhe kanë kërkuar ndihmë 3175 persona, raporton Ora News.

Në 90% të rasteve janë femrat ato që kanë kërkuar mbrojtje nga bashkëshortët, ndërsa vetëm 10 % dhunuesit kanë qenë pjesëtarët e tjerë të familjes.

Por nga ana tjetër, për dhunuesit nuk kanë munguar as masat ekstreme, pasi 700 prej tyre janë arrestuar ndërsa pjesa tjetër ndiqet në gjendje të lirë.