Përqindja e myslimanëve në numrin e përgjithshëm të banorëve të Evropës do të ketë një rritje të madhe gjatë viteve në vijim. Ajo madje mund edhe të katërfishohet, po ju besua një studimi të realizuar nga Pew-Research-Center, shkruan zeit.de.

Studimi në fjalë tregon se pjesëmarrja e myslimanëve në popullatën e Gjermanisë nga 6.1 për qind sa është tash, në vitin 2050 do të arrijë në 8.7%. Por, kjo rritje e vogël arrihet vetëm në rast se nga momenti i tashë nuk do të ketë më fare migrim të myslimanëve në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Në rast të një migrimi mesatar, përqindja e myslimanëve në vitin 2050 do të jetë 10.8% ndërsa nëse migrimi do të jetë në një shkallë më të lartë, myslimanët do të përbëjnë rreth 20% të gjithë popullatës gjermane.

Rritjen e numrit të myslimanëve, edhe në rast të mungesës së migrimit të tyre, e bëjnë të mundur dy faktorë: mosha mesatare e re e myslimanëve që sot jetojnë në Gjermani (31 vjet në krahasim me 47 vjet sa është mosha e jomyslimanëve) dhe shkalla më e lartë e lindjeve te gratë myslimane.

Në këtë studim ndërkaq nuk janë përfshirë disa aspekte si për shembull bashkimi familjar, përcjell albinfo.ch. Po ashtu, janë marrë në shqyrtim vetëm azilkërkuesit e pranuar, pra jo edhe ata me status “Duldung” (të toleruar) ose ata myslimanë që në Gjermani jetojnë në mënyrë ilegale. Me përfshirjen edhe të këtyre kategorive, përqindja do të ishte sigurisht edhe më e madhe.