Kryeministri, Edi Rama, thotë se Shqipëria mori një provim të vështirë, megjithë qëndrimin e opozitës, që sipas tij, përgjatë kësaj kohe nuk ka ndihmuar që Komisioni Evropian të rekomandojë hapjen e negociatave.

“Do të ishte më serioze që Shqipëria që flet në gjuhë të huaj të ishte një Shqipëri dhe kur flasim me ata nga të cilët presim që të mbështesin Shqipërinë, të flasim si përfaqësues të të njëjtit popull, sepse socialistët dhe demokratët kanë të njëjtin mendim për këtë çështje”, ka deklaruar Rama në Top Channel.

Por kryeministri shqiptar nuk ka folur për afatet e procesit të negociatave.

“Qëllimi i procesit është që të bëjmë Shqipërinë me institucione që mishërojnë vlerat e Europës që ne duam, pastaj anëtarësimi varet nga ne dhe nga Europa vetë. Macron dha një mesazh inkurajues, por kishte në thelb edhe për të thelluar reformat brenda vetë BE-së. Këto dy rrugë paralele një ditë do të kryqëzohen. Ajo që ka rëndësi është që statura e Shqipërisë në sytë e vendeve europiane ka ndryshuar”.

Rama tha se një rol të madh në rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian ka luajtur Reforma në Drejtësi, sidomos Vettingu.