Edhe një cikël zgjedhor mori epitetin e realitetit! Dikush i gëzuar e dikush i hidhëruar, por jeta vazhdon bashkë me obligimet profesionale, familjare dhe shoqërore.

Në komunën e Zhelinës ‘Aleanca me Besë’ korri suksese të mëdha, e si rezultat i kësaj sot kemi shumicën e këshillit komunal, në krye me Liridon Useini dhe gjithashtu kryetarin e Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, të cilët njëherit janë edhe përfaqësuesit e vullnetit të shumicës në këtë komunë. Nuk duhet harruar se një punë e madhe u realizua, por puna më e madhe sapo ka filluar, duke nisur me: organizimin dhe ristrukturimin institucional, radhitja e projekteve te premtuara gjatë fushatës dhe realizimi i të njëjtave.

Menaxhimi i hapësirave publike, aktiviteteve shoqërore e kulturore, si dhe shumë kërkesave tjera qytetare! Padyshim se, këta persona do t’i përkrahim edhe më tutje, sepse vlersojmë se janë më të mirit e përzgjedhur nga mesi jonë, por ne do t’i ndjekim në realizimin e premtimeve!

Komuna do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarve të saj, pa përjashtim, që do të thotë “barazi qytetare”, të mundohemi që gjithnjë të përzgjedhim më të mirët!

Nuk do të bëjmë shantazhime dhe hakmarrje të kundërshtarëve politik, përkundrazi do t’i çlirojmë nga “dëgjueshmëria partiake” duke bërë që t’i përkushtohen profesionit dhe zhvillimit në karrierën personale!

Unë, shefi i Shtabit zgjedhor, e kreva obligimin dhe detyrën që mu besua nga dega e Lëvizjes Besa në Komunën e Zhelinës, ku edhe jam anëtar aktiv! Tash vazhdoj jetën time profesionale ne Cyrih të Zvicrës, prej ku edhe u nisa që për dy muaj rresht t’i përkrah shokët e mi ‘Besatarë’ dhe bashkëqytetarët e mi në vendlindje.

Këto zgjedhje komunale të vitit 2017, gjithmonë do t’i kem në kujtesën time! Për mua një eksperiencë që do të më ndjek tërë jetën, një sfidë jashtëzakonisht e ndërlikuar, një projekt intensiv i stërmbushur me detyra të llojeve të ndryshme dhe me afat të realizimit të kufizuar! Kundërshtarët politik të cilët kishin mbështetje të pushtetit qendror, si dhe vetë me dy mandate në pushtetin lokal, me të gjitha strukturat që ekzistojnë, e me mbështetje financiare nga të gjitha anët, duke kushtëzuar ndërmarrjet më të fuqishme etj, kundrejt neve që nuk kishim tjetër, përveç se mbështetja nga populli, që shpresonte dhe dëshironte ndryshim që premtonte liri nga shantazhet. Liri nga ndjekjet, liri nga llogaridhënia, thjesht liri dhe barazi qytetare.

Ne i’a dolëm! Nga kjo betejë dolëm fitimtarë, krenarë, me dinjitet dhe vetëdije qytetare të kohës së re për një jetë të re! Gjatë kësaj fushate patëm mbështetje jashtëzakonisht të madhe nga shtesat e ndryshme shoqërore dhe për këtë i falenderoj të gjjthë. Pata mundësinë të njoftoj shumë dashamirës e atdhetarë, persona të qëndrueshëm, parimorë e vizionarë, njerëz të mrekullueshëm dhe mbi të gjitha njerëz me ‘Besë’! Për mua kjo ishte një mbresë e jashtëzakonshme.

Faleminderit diasporës, forumit rinor të besatarëve, forumit të gruas, dhe aktivistëve që ishin të shpërndarë nëpër komisione të ndryshme partiake.

FALEMINDERIT!
QOFSHI ME BESË!