Mbi një çerdhe fëmijësh në Shkup, e cila fëmijët me pampers synon t’i çojë në Qabe. Ose: mbi ekstremizmin islamik, «edukatoret» e maskuara me nikab dhe heshtjen e politikanëve.

Në profilin e Facebookut të çerdhes së fëmijëve «Bleta» me seli në një lagje shqiptare të Shkupit mund të shihen lloj-lloj aktivitetesh gjoja fetare. Në të vërtetë bëhet fjalë për keqpërdorim të fëmijëve me qëllim të «edukimit» të tyre islamik, gjithnjë në frymën e ekstremizmit, izolimit, ngushtësisë mendore dhe përjashtimit të kulturave dhe feve të tjera. Në videon e shpërndarë nga kopshti i fëmijëve «Bleta» shihen carrokë që me gjasë ende nuk e kanë hequr pampersin, por sillen rreth një kubi, që simbolizon Qabenë. Djemtë janë të veshur (ose më mirë të thuhet: mbuluar) me një pelerinë të bardhë, siç i bartin pelegrinët që shkojnë në Mekë, vajzat bartin shami. Në një fotografi shihen vocërrakët parashkollorë të fotografuar si maturantë, me gjasë në fund të vijimit të çerdhes. Ndërsa fëmijët bartin kapelat katërkëndëshe që simbolizojnë përfundimin e një cikli (para)shkollor (dhe si të tilla janë më shumë simbol i shkollave perëndimore), edukatoret e carrokëve bien në sy me veshje fetare dhe pseudofetare.

Njëra edukatore bart shami, tjetra është e maskuar me nikab. Për ata që nuk e kanë të qartë çka është nikabi: kjo lloj shamie mbulon gjithë kokën dhe lë hapur vetëm sytë përmes një «shlici». Nën fotografinë e edukatores qëndron emri i saj, por kushedi kush fshihet pas saj, kur ajo refuzon të tregojë fytyrën në opinion, një ndër aktet më të rëndomta në komunikimin ndërnjerëzor. Kush fsheh fytyrën, a mund të komunikojë me botën? Jo. Assesi. Një figurë e tillë nuk mund të edukojë as fëmijët. Një person i tillë i depersonalizuar, me pamje të frikshme, e maskuar me nikab të zi, me dukje prej pinguini apo ninxhe, nuk e ka vendin në jetën publike, aq më pak në shkolla. Nikabi nuk është as veshje fetare, është vetëm një pelerinë që u imponohet grave nga burrat primitivë të botës arabe, të cilët ua ndalojnë grave edhe ngasjen e veturës.

Pamjet e edukatoreve dhe keqpërdorimi prej tyre i fëmijëve për «eksperimente» fetare janë një shenjë alarmante mbi depërtimin e ekstremizmit islamik në jetën e përditshme të shqiptarëve. Duhet thënë hapur: kjo qasje e edukatoreve nuk ka të bëjë asgjë me islamin, por me trushpëlarje, me indoktrinim, me dhunim të fëmijëve, të cilët nuk janë në gjendje të vendosin vetë se kujt duan t’i besojnë dhe nëse fare duan të besojnë. Turp për prindërit që kaq egërsisht helmojnë shpirtrat e fëmijëve të tyre.

Këso kopshtesh për fëmijë nuk kanë asnjë mision edukues, por synojnë shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe trajtimin e tyre si pjesëtarë të ymetit mbarëbotëror mysliman. Nesër fëmijët e «edukuar» në këtë mënyrë makabre si në kopshtin «Bleta» në Shkup do ta kenë më lehtë ta shohin veten më të afërt me ndonjë fis të Jemenit se sa me një vëlla katolik nga Shkodra e Prizreni apo ndonjë ortodoks nga Korça apo një bektashinj nga Tepelena.

Përballë pamjeve makabre nga kopshti «Bleta» imponohet pyetja urgjente se si është e mundur të hapet një institucion i tillë parashkollor. A është e mundur që radikalët islamikë në qytetet me banorë shqiptarë në Ballkan të ndihen aq të sigurt, aq të fuqishëm, saqë të ndërtojnë sistem paralel të «edukimit» të fëmijëve? Si është e mundur që ky kopsht të funksionojë pa leje të autoriteteve përgjegjëse? A ka edhe kopshte të tjera të kësaj natyre?

Nuk mund të pranohet gjithçka në emër të lirisë së  besimit. Nuk mund të lejojmë si shoqëri që gratë e pandershme dhe të maskuara me nikab të merren me manipulimin e fëmijëve. Shumë pyetje të tjera duhet të shtrohen tani. Cili është qëndrimi i Bashkësisë Islame të Maqedonisë në lidhje me kopshtet e fëmijëve të llojit të «Bletës»? Cili është qëndrimi i politikanëve shqiptarë në Shkup, Tetovë e Strugë? A kanë gjë për të thënë intelektualët, edhe ata që besojnë në zot, por e ndiejnë veten (ende) pjesëtar të kombit shqiptar? A duhet të heshtin politikanët në Tiranë dhe Prishtinë përballë fenomeneve të tilla të neveritshme të keqpërdorimit të fesë për qëllime politike të organizatave ekstremiste të botës arabe, me të cilat shqiptarët nuk i lidhë asgjë? A ka kopshte si «Bleta» edhe në Shqipëri dhe Kosovë? Në Kosovë prej vitesh funksionojnë disa «konvikte» të financuara nga organizata joqeveritare të cilat dyshohet se alimentohen nga burime të dyshimta nga Gjiri Persik.

Nuk është e çuditshme që kopshte të tilla nuk pengohen nga qeveria e dominuar nga sllavët në Maqedoni. Sa më shumë kopshte të tilla, aq më lehtë mund t’u mohohen të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Sa më shumë çerdhe të tilla, aq më lehtë shqiptarët mund të stigmatizohen si radikalë islamikë – sidomos në biseda me diplomatë perëndimorë. Sa më shumë çerdhe të tilla, aq më i lehtë do të jetë veçimi kulturor i shqiptarëve si shoqëri që nuk synon dijen, por sjellën vërdallë rreth Qabesë të fëmijëve parashkollorë, të cilët, po e përsërisim, në këtë moshë nuk janë fare në gjendje të marrin asnjë vendim vetë, andaj për këtë arsye, mes tjerash, bartin edhe pampersë.

Pas zbulimit të këtij skandali në Shkup, është koha e fundit të ndërhyjnë ministria e Arsimit e Maqedonisë dhe të flasin krerët e të gjitha partive politike shqiptare. Sa më shumë që të koketojnë këto parti me islamin politik të sponsorisuar nga disa vende të agjendë terroriste nga Gjiri Persik apo nga shtete të tjera, aq më agresivë do të jenë militantët fetarë. Askush në botën shqiptare nuk ia mohon të drejtën e besimit asnjë komuniteti fetar, por çdo gjë e ka një kufi. Dhe kufiri është aty kur fëmijët e pafajshëm bëhen pjesë e planeve të errëta për deformim kombëtar, kulturor, shpirtëror dhe mendor.

PS/   Redaksia e portalit FOL, e ndërgjegjshme për ndjeshmërine e temës që trajtohet, por vlersimi ynë ishte se  tema e trajtuar e huazuar nga Dialogplus.ch  mund të jetë interes publik, andaj vendosëm  që lexuesve tanë tua sjellim të plotë.

ja edhe linku i origjinalit:http://dialogplus.ch/bleta-me-helm-e-shkupit-126444