Konkursi plotësues për stafin akademik në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup është në fazën përfundimtare, ndërsa për momentin po shqyrtohet dokumentacioni i kandidatëve të fundit që konkurruan në këtë konkurs të hapur prej datës 14 tetor. Kështu sqaroi përmes telefonit rektori i i UNT-së, Aziz Pollozhani duke shtuar se në disa fusha interesimi i kandidatëve ka qenë i kënaqshëm ndërsa në disa të tjera interesimi ishte tejet i ulët. Ai tha se konkursi plotësues për profesor dhe asistentë mbetet i hapur deri në plotësimin e të gjitha vendeve.

Në konkursin plotësues kërkohen mësimdhënës në Fakultetin e Shkencave të Informatikës, Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakultetin e Shkencave Teknike, Fakultetin e Shkencave Teknologjike dhe Fakultetin e Shkencave Sociale. Nga konkursi i parë u siguruan 37 profesorë dhe asistentë, ndërsa që të mund të formohen 14 programet studimore të akredituara të UNT-së duhet të punësohen të paktën 42 profesorë dhe 42 asistentë doktorantë. Në konkursin e parë për staf akademik thuhet e janë pranuar 35 kandidatë por asgjë nuk është zyrtare. Ndryshe, pas përfundimit të afatit të dytë për regjistrim të studentëve mund të llogaritet se numri i përgjithshëm i studentëve të pranuar në këtë universitet është 168 të cilët janë organizuar në grupe sipas programeve të akredituara, ndërsa programet e inxhinierisë ekonomike, nano-teknologjisë dhe elektroteknikës me gjasë do të mbesin të aktivizohen vitin e ardhshëm 2017-2018 për shkak të mos interesimit të studentëve. Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup nisi me punë më 27 tetor ndërsa u përcoll me probleme dhe mangësi të shumta duke përfshirë mosinteresimin e studentëve për drejtimet e caktuara dhe mungesën e hapësirave për mësim. Për momentin, UNT-ja vepron në objektin e UEJL-së në Shkup.Alsat-M