Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar në profilin e vet në “Facebook” pas caktimit të datës së shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku.
Rama ka shkruar se Nënë Tereza ngjiti sot qiellin e lavdisë së altarëve të kishës. “Pas lumturimit, 13 vjet më parë, Nënë Tereza ngjiti sot qiellin e lavdisë së altarëve të mbarë Kishës së përbotshme, falë vullnetit të Papa Françeskut. Ajo iu bashku kështu edhe shenjtëve që Shqipëria i ka përfalur njerëzimit dhe besimit tash sa mot. Forcë e shembullit të njehsimit me dashurinë për tjetrin, Nënë Tereza është e parëlindura shenjtore shqiptare e shekullit të ri dhe me siguri, një uratë për lumturimin e 40 martirëve shqiptarë. Të cilët u përdëllyen në mbrojtjen e besimit dhe të ndërgjegjes përgjatë kalvarit të ferrit komunist, në shekullin që lamë pas”, ka shkruar Rama.