Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka kritikuar Qeverinë Hoti për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se tendenca për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme kur në Kosovë ishin vetëm 18 raste pozitive me COVID-19, dhe nuk kishte asnjë të vdekur ishte reagim histerik, transmeton Telegrafi.

“Reagim joracional, ishte votimi i mocionit të mosbesimit në kohën e epidemisë-pandemisë COVID-19 dhe menaxhimit të suksesshëm të saj nga ana e Qeverisë Kurti, e ku ishit pjesë edhe ju”, ka shkruar ajo në Facebook.

Më tej, ajo ka thënë se është “reagim i pamatur është të akuzosh të tjerët për gabimet e bëra dhe të mos kuptosh se kjo kohë kërkon edhe profesionalizëm përveç librezës partiake”.

Ndryshe, numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 3 mijë e 508, 1 mijë e 902 prej të infektuarve janë shëruar, kurse janë regjistruar edhe 75 raste të vdekjeve të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.