Nënshkruhet marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimit roming ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, (Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë) u nënshkrua sot në Beograd në Samitin e dytë Digjital që po zhvillohet atje.

Lajmi është njoftuar edhe nga Sekretarja Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu përmes një postimi në facebook.

Tarifa e romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një shtet tjetër, nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Marrëveshja e romingut pritet të zbatohet në tërësi në korrikun e vitit 2021, kurse reduktimet në uljen e tarifave pritet të nisin nga 1 korriku i këtij viti.