Koment i redaksisë

Mosgatishmëria e Lëvizjes Besa për të marrë pjesë në takimin e inicuar nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti me liderët shqiptarë, ide që më herët në kampanjën parazgjedhore ishte ide e Ziadin Selës, në anën tjetër është edhe një hap tjetër i gabuar i kësaj lëvizjeje për bojkot. Arsyetimet e tyre se nuk do të marrin pjesë për shkak të vendimit të anëtarëve të KSHZ-së, ku me arsyetimet me votimin e tyre ngjan më tepër se i paskan shërbyer VMRO-DPMNE-së, duke ia minusuar një deputet kësaj partie, pa mos përmendur këtu amatorizmin dhe lëshimet e ekipit juridik të kësaj lëvizje me ankimimin që kishin bërë deri te KSHZ-ja, pa mos patur as edhe një fakt të vetëm që do të vërtetonte ndonjë parregullsi gjatë procesit të votimit. Kjo nuk ka se si të konstatohet ndryshe, përveç se kjo lojë e Besës është në vazhdën e marketingut politik edhe pse tashmë zgjedhjet kanë përfunduar.

Kjo sjellje e papërgjegjshme e tyre vërteton se këta ishin të njëjtët, që për shumë kohë mbajtën varur shpresat e shqiptarëve për unifikim të faktorit politik opozitarë para zgjedhjeve dhe në moment të fundit minuan këtë vullnet të shqiptarëve, duke ia mundësuar edhe një herë atij që më së paku meritonte legjitimitetin e shqiptarëve të flasë në emër të tyre.

Janë po të njëjtit edhe sot të “Sponsorizuar” nga qarqe të dyshimta, që me veprimet e tyre me mospjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur dëmtojnë rëndë kauzën shqiptare dhe rrënojnë drejtpërdrejt përpjekjet për unifikim rreth një platforme gjithëshqiptare. Po ashtu edhe deklaratat e tyre ku shprehin qëndrime fallso se gjoja mbështesin çdo nismë për interesat shqiptare, por nuk marrin pjesë në takimin e ftuar nga Ali Ahmeti nuk pijnë ujë te shqiptarët dhe se e njëjta në gjuhën e popullit s’ka se si të përkthehen ndryshe, përveç se janë “agjendë e huaj” e fëlliqur që vazhdojnë të mashtrojnë dhe manipulojnë me emrin e një simboli të shenjtë të shqiptarëve, Besën.

© fol.mk