Qytetarët e Britanisë së Madhe do të vendosin nesër nëse do të rrinë apo do të largohen nga Bashkimi Evropian.

Pas katër muajsh fushatë nga partitë politike për t’i bindur britanikët të largohen ose të rrinë në bllokun evropian, më në fund 46 milionë qytetarë do të vendosin fatin e tyre.

Një ditë para votimit, politikanët po bëjnë përpjekjet e tyre të fundit për t’i bindur qytetarët me qëndrimet e veta. Boris Johnson dhe Nigel Farage po u kërkojnë përkrahësve të tyre që të largohen nga Unioni Evropian dhe po u kërkojnë qytetarëve që të “besojnë në vendin e tyre”.

Ndërsa, kryeministri David Cameron, Jeremy Corbyn dhe Tim Farron, u kërkojnë britanikëve që në referendumin e së enjtes, të votojnë pro qëndrimit në BE.

Mbështetës të këtij qëndrimi janë të gjithë liderët evropianë. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i tërhoqi vëmendjen Britanisë se votimi për largim nga Bashkimi Evropian, do të jetë “një akt i vetëdëmtimit”, që do të rrezikojë përfitimet reciproke në disa dekada.

Edhe Mbretëresha e Anglisë Elizabeth ll raportohet të ketë kërkuar organizimin e një darke, gjatë të cilës do të pyesë për tri arsye të mira se përse Britania duhet të vazhdojë të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.